Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse paralajmëroi se Rusia do të përgjigjet nëse raketa me rreze të gjatë veprime lëshohen në territorin rus.
Ky reagim erdhi pas raportimeve që Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës për përdorimin e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda Rusisë.
“Përdorimi i raketave me rreze të gjatë veprimi nga Kievi për të sulmuar territorin tonë do të përfaqësonte përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara dhe satelitëve të saj në armiqësitë kundër Rusisë, si dhe një ndryshim rrënjësor në thelbin dhe natyrën e konfliktit. Përgjigja e Rusisë në një rast të tillë do të jetë e përshtatshme dhe e prekshme”, thuhet në deklaratë.
Lajmi nuk është bërë zyrtarisht i ditur por Presidenti ukrainas, Zelensky citohet të jetë shprehur në një reagim për mediat amerikane se raketat do ta tregojnë veten.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka përsëritur mbështetjen e qeverisë amerikane për Ukrainën në samitin e G20 në Rio de Janeiro, megjithëse ai nuk iu referua drejtpërdrejt vendimit për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi nga ana e Ukrainës.
Në komentet e tij të para që nga vendimi, Biden ka thënë në takimin me liderët në samitin e G20-ës se SHBA mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës./tvklan.al