Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, nxënës të shkollave 9-të vjeçare, mbështetur nga bashkia e Korçës zhvilluan një marshim sensibilizues përgjatë zonës “Pedonale”.

Nxënësit përcollën mesazhe në mbrojtje të të drejtave të tyre,mesazhe që morën vlerë të shtuar në kontekstin e ngjarjeve të fundit me protagonistë të mitur.

Njësia e Kujdesit të Fëmijëve në bashkinë e Korçës konstaton rritje të numrit të fëmijëve që janë përballur me forma të ndryshme dhune nga ajo verbale, fizike, por edhe abuzime seksuale.

Vasilika Nole, specialiste e Njësisë së Kujdesit ndaj Fëmijëve: Janë konstatuar 45 raste dhe të gjitha janë në menaxhim e sipër. Shohim për fat të keq një rritje të numrit të rasteve nga viti në vit dhe nuk më vjen mirë që e them këtë. Të gjitha rastet kanë dinamika të ndryshme shpesh shohim bullizimin nëpër shkolla, neglizhimin qoftë nga prindërit apo nga kujdestarët ligjorë.

Vrasja e 14 vjeçarit në kryeqytet konsiderohet kambanë alarmi nga mësuesit e Korçës, për institucionet, familjen dhe gjithë shoqërinë.

Blerta Bilbili, mësuese: Ngjarjet e fundit kanë të papritura dhe duhet të jemi shumë vigjilentë ndaj veprimit të çdo fëmije, që të parandalojmë ngjarje që mund të agravojnë më tepër.

Ndërgjegjësimi dhe politikat edukative mbeten mënyra më produktive, për të mbrojtur fëmijët nga dhuna dhe forma të tjera abuzimi.

Klan News