Bizneset me borxhe ndaj të kompanive të tjera do ta kenë të vështirë kredimarrjen nga bankat si dhe rimbursimin e TVSH-së nga shteti.
Përfaqësues të biznesit vendas e përkrahin nismën e kryeministrit për të eliminuar gangrenën e borxheve, e cila vë në rrezik edhe kompanitë e shëndosha financiarisht.
Kreu i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, Ilir Zhilla thotë se bizneset prodhuese do të jenë përfitueset kryesore.
Ilir Zhilla: “I jep një mbështetje të madhe biznesit prodhues, siç është ajo në rastin e prodhuesve të betonit, të prodhuesve të tullave të gjithë materialeve të ndërtimit po kështu dhe në mjaft fusha të tjera. Ka ardhur koha që t’i jepet fund të investosh me kontributin tjetrit. Ne e shohim si një masë mbështetëse për të rregulluar tregun dhe për të mbështetur kuptohet pjesën më të shëndoshë të biznesit.”
Edhe Konfindustria vëren me shqetësim problemin e borxheve mes bizneseve, ndërkohë që kërkon që përveç kësaj skeme të vihet në funksionim ligji i falimentimit për kompanitë që 2 vite rresht rezultojnë me bilance negative.
Gjergj Buxhuku: “Piramidat e fshehura janë të pranishme në ekonominë shqiptare dhe në biznesin shqiptar. Janë bërë një rrezik shuam serioz për ecurinë normale të biznesit. Çështja është se si do të luftohen këto piramida të fshehura. Në radhë të parë duhet që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të bëjë regjistrin e të gjithë kompanive të cilat rezultojnë me humbje në më shumë se sa dy vjet dhe duke zbatuar ligjin e procedurave tatimore të fillojë procesin e falimentimit.”
Funksionimin e ligjit të falimentimit e përkrah edhe Unioni i Dhomave të Tregtisë.
Zhilla shton se është absurde që megjithatë problemet e biznesit shqiptar në këto 19 vjet të ekonomisë së tregut asnjë kompani vendase nuk është shpallur e falimentuar, çka tregon se ato kanë mbijetuar në kurriz të bizneseve të tjera./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro