Pushteti lokal do të përfitojë 25%  të rentës minerare. Një gjë e tillë parashikohet në draftin e ri ligjor për minierat, i diskutuar mesditën e së martës mes përfaqësuesve të pushtetit lokal të zonave minerare dhe  përfaqësuesve të Ministrisë të Ekonomisë.

Numri 2 i kësaj Ministrie Neritan Alibali garantoi se ligji i ri synon të mbrojë këtë sektor duke nxitur edhe mirëqenien e banorëve në zonat mineral mbajtëse të cilat zënë rreth 11% të territorit.

Neritan Alibali: “Duke përcaktuar përfitime të qarta për pushtetin lokal për zhvillimin ekonomik social të zonës përkatëse nëpërmjet përcaktimit të një përqindje nga renta minerale  e cila do të shkojë për pushtetin lokal. Në projektligj ne kemi përcaktuar që 25% e rentës minerale do të shkojë për pushtetin lokal për zhvillimin social ekonomik të zonës përkatëse.”

Volumi i mineraleve i nxjerrë në shkallë vendi gjatë 2009-ës shkon në 5 milion ton. Ndërkohë që Ministria e Ekonomisë numëron aktualisht 688 leje për shfrytëzimin mineral./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro