COVID-19 po e zgjeron hartën, probleme të mëdha në Iran e Izrael
Situatë aspak e mirë paraqitet edhe në Lindjen e Mesme. Përhapja e COVID-19 është rritur ndjeshëm. Rastet me infeksion e kanë kaluar shifrën e 10 mijë. Të gjitha vendet kanë marrë masa të ngjashme me ato që po bëjnë shumë shtete evropiane duke izoluar shumë qytete.
Pjesa më e madhe e fluturimeve me Evropën janë pezulluar, po ashtu kontrolle po ushtrohen nga autoritetet edhe në kufij. Situata më e rëndë mbetet ajo e Iranit, ku qeveria ka kërkuar ndihmë prej 5 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për furnizime mjekësore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, numri i viktimave në Iran ka shkuar në 429 përfshirë këtu edhe politikanë. Rritja e njerëzve që kanë humbur jetën, por edhe atyre që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 erdhi pasi qeveria i mori shumë më vonë masat duke i lënë të lirë njerëzit të lëviznin.
Ndërkaq edhe në Izrael numri i atyre që janë infektuar gjatë 24 orëve të fundit është rritur me 28 raste duke e çuar numrin e përgjithshëm në 100. Netanyahu ka ndaluar të gjitha tubimet me më shumë se 100 njerëz, ka bllokuar fluturimet nga vendet më të rrezikuara duke urdhëruar futjen në karantinë të gjithë atyre që kanë ardhur nga jashtë .
Po ashtu Arabia Saudite po ndjek skenarin që vendosi Kina në fillim kur shpërtheu epidemia. Fluturimet janë pezulluar me të gjithë vendet që tanimë janë në hartën e kuqe. Deri më tani në vend ka 45 të infektuar .
Autoritetet kanë parashikuar gjobë prej 120 mijë eurosh për ata që fshehin gjendjen e tyre shëndetësore kur kthehen nga jashtë. Në vend janë ndaluar përkohësisht pelegrinazhet fetare në Mekë dhe Medine si një masë mbrojtëse ndaj koronavirusit duke qenë se të gjitha rastet e regjistruara në vendet fqinje si Oman, Kuvajt dhe Bahrein ishin udhëtarë që kishin shkuar në Iran për vizita fetare.
Klan Plus