Kompania Low Cost “Easy Jet nis fluturimet në Nëntor
Më 28 Nëntor do të nisin fluturimet Tiranë – Milano edhe përmes një tjetër kompanie Low Cost. Easy Jet ka njoftuar se udhëtimet për këtë destinacion do të nisin në fund të vjeshtës.
Fluturimet për në Milano tashmë do të bëhen edhe më të lira. Easy Jet do të bëhet linja e pestë që do të ofrojë si destinacion për udhëtarët qytetin verior të Italisë, pas tre firmave ajrore që operojnë sot, ku po në vjeshtë do të shtohen fluturimet edhe me Air Albania.
Fluturimet përmes kësaj linje do të ofrohen dy herë në javë, të enjte dhe të diel, ndërsa biletat kanë dalë në shitje që tani.
Nëse kërkon të udhëtosh më 28 nëntor nga Tirana për në aeroportin e Malpensas në Milano, çmimi i biletës kushton 39.5 Euro.
Kompania Easy Jet operon prej disa kohësh në Shqipëri në destinacionin Gjenevë- Tiranë, ndërsa tashmë ka vendosur të zgjerojë hartën e vendeve ku fluturon edhe për linjën Tiranë – Milano.
Futja e një kompanie të re në këtë treg, pritet të ulë edhe më tej çmimet e biletave në Shqipëri, të cilat mbeten ndër më të lartat në rajon dhe Europë.
Tv Klan