Për të 16-ën herë në histori, Argjentina është kampione e Kupës së Amerikës. Albicelestët thyen vetëm pas kohës shtesë Kolumbinë me shifrat 1-0, me Lautaro Martinez që dërgoi në delir tifozët argjentinas.
Pavarësisht temperaturave të ulëta, mijëra qytetarë dolën në sheshin kryesor “Obelisk” të kryeqytetit Buenos Aires për të festuar fitoren e cila është e dyta radhazi në këtë kompeticion.
Sukses që gjithsesi nuk kalon pa pasoja. Lionel Messi u largua nga fusha i dëmtuar, me kapitenin 37-vjeçar që nuk mbajti as lotët në pankinë.
Enjtja e këmbës së tij të djathtë mund të rezultojë e rëndë për futbollistin, e cila mund ta mbaj jashtë fushave për shumë kohë. Gjithsesi, përpos trofeut, Messi nënshkruan një tjetër rekord. Ai bëhet lojtari më i titulluar në Botë me 45 trofe.
Që prej vitit 2005 ku Messi ndihmoi kombëtaren U-20 për të fituar Botërorin e asaj grupmoshe, argjentinasi ka fituar gjithçka si me klube ashtu edhe me kombëtaren, duke parakaluar në këtë renditje speciale ish-shokun e skuadrës te Barcelona, Dani Alvesh.
Klan News