Lionel Messi rikthehet të fitojë çmime në Spanjë. Pavarësisht se prej shumë sezonesh aktivizohet larg shtetit iberik, “pleshti” argjentinas merr nderime në vendin ku u bë i njohur.
Mediat prestigjoze “Marca” i ka akorduar 37-vjeçarit trofeun që kurorëzon të gjithë karrierën e deritanishme, të pagëzuar me emrin “kampion i kampionëve”. Trofe modest që personifikon 46 titujt e fituar në total nga Lionel Messi. 8 herë fituesi i Topit të Artë u shpreh mjaft i lumtur për këtë vlerësim.
“Më kujtohet titulli i parë që fitova. E kujtoj me shumë dashuri. Jam i uritur për tituj edhe pse jam pak më i vjetër dhe familja ime vazhdon të rritet. Ndjej mbështetjen e tyre ndaj jam i pandalshëm. Më pëlqen të luaj futboll dhe gjithçka që më jep fusha e lojës. Kam pasur momente të këqija me Argjentinën, por mendoj se na ndihmoi për të fituar trofe. Katalonja dhe Argjentina janë dy vendet që më përfaqësojnë”
Shumica e titujve të fituar nga ana e Messit janë arritur me fanellën e Barcelonës. Plot 35 trofe, ku përfshihen 4 Liga të Kampionëve dhe 10 trofe të La Ligës. Ndërkaq, me kombëtaren e Argjentinës, lojtari më i kurorëzuar në historinë e futbollit ka festuar 2 Kupa të Amerikës, një Finalisima dhe Kupën e Botës ngritur në Katar në vitin 2022.
Klan News