Decentralizimi i pushtetit lokal është një prioritet i qeverisë qendrore dhe sipas ministrit të linjës, Lulzim Basha, po ecën me hapa pozitivë, por në një takim, me të zgjedhurit vendorë të Shoqatës së Bashkive, ku vihej re mungesa e kryebashkiakëve socialistë, Basha ka akuzuar këta të fundit se kanë shfrytëzuar rritjen e buxhetit të tyre për të fryrë administratën dhe jo për të kryer investimet e nevojshme në dobi të komunitetit.

Lulzim Basha: “Si Ministër i Brendshëm kam vërejtjet e mia për përdorimin diskrecionar të këtyre fondeve nga disa bashki, të cilat fatkeqësisht nuk janë kthyer në vepra për qytetarët, por janë kthyer në fryrje administrate, tre-katër pesëfishim policisë bashkiake e tjerë e tjerë. Nuk e kam fjalën këtu për asnjë nga ju të pranishmit apo për një pjesë të mirë të anëtarësisë së shoqatës tuaj dhe besoj është e qartë për ju dhe për publikun se për kë është fjala”.

Basha ka deklaruar se qeveria ka treguar vëmendje maksimale në mënyrë të veçantë në përmbushjen e kërkesave financiare të pushtetit lokal.

Lulzim Basha: “Në tre vjet kemi trefishuar grandet, fondet qeveritare për pushtetin lokal. Kemi sot një program robust, të paprecedent në Ballkan për investimet lokale, ku përfitojnë 100% e njësive vendore edhe një shkallë disbursimi 12 deri 15 herë drejt fondeve të njësive vendore.”

Duke folur për procesin e decentralizimit, Ministri i Brendshëm ka nënvizuar se gjatë këtij viti, i cili përkon dhe me një vit parazgjedhor, do të vijojë puna përveç të tjerash dhe për kalimin në varësinë e pushtetit lokal, i ndërmarrjeve të ujësjellësve apo të inspektorateve të ndërtimit.

Lidhur me çështjet për decentralizimin e pushtetit vendor, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha është ndalur në prefekturën e Elbasanit.

Sipas tij, grandet janë trefishuar, ndërsa përmirësimi i kuadrit ligjor për taksat vendore ka bërë që buxhetet të rriten.

Lulzim Basha: “Është punuar intensivisht në drejtim të rritjes së autonomisë financiare dhe fiskale të pushtetit vendor, çka dëshmohet më së miri në dy-trefishimin e grandeve dhe 10 deri 15-fishimin e investimeve në total. Kuadri ligjor i miratuar për taksat dhe financat i ofron pushtetit vendor një autonomi substanciale fiskale, e cila ka lejuar në praktikë rritjen e buxhetit vendor”.

Në fjalën e tij ministri Basha i ka kërkuar policisë dhe prefekturës të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme të gjithë industrinë e rëndë për të përdorur filtrat kundër ndotjes së mjedisit.

Lulzim Basha: “Por unë ju kërkoj sot si Ministër i Brendshëm, zoti prefekt dhe zoti drejtor i policisë së qarkut dhe do ta monitoroj këtë si Ministër i Brendshëm dhe si deputet i Elbasanit kontrollin e rreptë në çdo orë të ditës dhe të natës, të përdorimit të filtrave dhe të fasiliteteve të tjera mjedisore nga këto agjentë industrialë, që veprojnë në qarkun e Elbasanit, fare afër qytetit të Elbasanit dhe ndëshkimin me rreptësinë më të madhe për çdo neglizhim të përdorimit të këtyre faciliteteve”./tvklan.al