Për të shtatën herë më radhë Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e djeshme, ky projektligj mori vetëm 36 vota “për”, por që për mungesë të vendimmarrjes sërish është proceduar për seancën e ardhshme.
Sponsorizuesi i këtij ligji, Partia Demokratike e Kosovës, mos marrjen pjesë në votim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po e sheh si veprim të papërgjegjshëm, e nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ky ligj është i dobët për një vlerë kaq të madhe
Iniciuesi i këtij projektligji, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, thotë se deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së po sillen në mënyrë të papërgjegjshme karshi këtij projektligji.
Ai për KosovaPress thotë se është e çuditshme se si deputetët nuk marrin guxim që të votojnë këtë projektligj, madje as të votojnë kundër.
“Kemi pasur një konsensus të përbashkët, të gjithë partitë politike jemi dakorduar që po do ta votojmë këtë projektligj në leximin e parë dhe më pastaj shqetësimet, komentet, ankesat, çështjet e tjera do t’i trajtojmë në leximin e dytë, sepse vetëm në këtë formë na krijohet ajo mundësi. Kanë zgjedhur një rrugë tjetër, një rrugë për mos ta votuar dhe një rrugë që ta dezinformojnë qytetarin, thjeshtë duke iu thënë se me këtë projektligj po tentohet që të mbrohet një grup i caktuar i njerëzve të luftës apo i strukturës komanduese, që në fakt nuk është fare ashtu, nuk qëndron as ajo pjesa kur supozohet se po kufizohet liria e shprehjes apo fjala e lirë, sepse ky ligj nuk e cenon, as lirinë e shprehjes, as fjalën e lirë. Prandaj, për ne fryma e këtij ligji është mbrojtja dhe vlerësimi i një pjese të veçantë të historisë tonë siç është ajo e luftës së UÇK-së”, thotë ai.
Ai thotë se pas reagimit të ambasadave të huaja në vend, kanë vërejtur një tërheqje të partive politike veçanërisht të LDK-së dhe të LVV-së për ta përkrahur këtë projektligj.
Mos marrjen pjesë në votim për Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga LDK e LVV të pakuptimtë e quan edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Ajo thotë se si subjekt politik e kanë mbështetur këtë projektligj dhe do ta mbështetin sa herë që do të jetë në rend të ditës në seancë.
“Për mua është e pakuptimtë pse deputetët e tjerë të shumicës, meqenëse po e votojnë edhe komunitetet jo serbe, nuk po e votojnë këtë projektligj. Nëse bëhet një projektligj për t’i mbrojtur vlerat e luftës nuk ka më mirë, për shkak se është një vlerë sublime. Lufta e UÇK-së, luftëtarët, invalidët, familjet e dëshmorëve janë vlerat sublime të Kosovës, që duhet t’i ruajmë dhe t’i promovojmë dhe jo të neglizhohet në këtë formë. Mua po më çudisin veprimet e disa subjekteve politike që në një formë kur është flasin, e ngritin zërin shumë lartë dhe atë po e bëjnë veç për poenë politike. Ndërsa, kur është puna që për vepruar konkret apo për të votuar nuk po votojnë, bile as nuk po abstenojnë në mënyrë që të mos bëhet votat për të kaluar ky projektligj. Unë nuk e di çka ka të keqe ky projektligj që nuk po votohet prej deputetëve”, thotë ajo.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se arsye se pse nuk po marrin pjesë në votim për këtë projektligj është për shkak se si i tillë nuk i përmbush as për së afërmi vlerat që ka UÇK-ja.
Ai theksoi se vlerat e luftës së UÇK-së do të duhej të ishin të mbrojtura me Kushtetutë dhe të mos kishte nevojë fare për një ligj të tillë.
“Ne duam që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të jetë vlerë e shquar e mbrojtur, ashtu siç është e madhe, por projektligji në rastin konkret nuk i përmbush as për së afërmi ato kërkesa që ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vlera e saj. Prandaj, kemi kërkuar që ta tërheq këtë ligj dhe ta bëjë një ligj ose të mos ketë fare nevojë për ligj, këto vlera të ishin të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Janë të njëjtët faktor të cilët nuk e kanë marrë mundin në kohën kur është bërë Kushtetuta e Kosovës që ta përfshijnë UÇK-në e as luftën e popullit shqiptar për liri. Tash në një moment të caktuar në një periudhë të caktuar…ata po kërkojnë që ta fusin këtë projektligj, por po ashtu edhe me një këmbëngulësi të pakuptueshme, sepse duan me patjetër një ligj të dobët për një vlerë kaq të madhe”, thotë Selimi.
Megjithatë, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, thotë se nuk do të heqin dorë nga ky projektligj, e këtë thotë se ua kanë bërë të qartë të gjitha grupeve parlamentare.
“Ne ua kemi bërë me dije, ua bëjmë sërish me dije që ne nuk tërhiqemi nga ky ligj, nëse dikush mendon nga këto grupe mendojnë se duke mos e votuar ne do të tërhiqemi atëherë e kanë gabim, sepse do të shkojë deri në fund të mandatit, ndoshta në mandatet e tjera, kurdo që vjen ose së paku deputetët duhet ta thonë fjalën e tyre dhe të mos veprojnë në këtë formë duke mos pasur guxim as që të ngrenë dorën”, deklaroi ai.
Lidhur me projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin reaguar edhe ambasadat e huaja në vend duke thënë se ky projektligj cenon lirinë e shprehjes dhe kishin bërë thirrje që i njëjti të mos miratohet./klankosova