Lëvizja Vetëvendosje merr shumicën e votave në zgjedhjet e 14 Shkurtit. Ajo ka fituar 48.17 përqind të votave, vota këto që llogariten si një mbështetje morale më e madhe që ka marrë një parti ndonjëherë në Kosovë. Vetëvendosja duke kundërshtuar gjithçka, fillimisht në rrugë, pastaj në Kuvend, mbyll kështu epokën e rebelimit.

LDK-ja nga ana tjetër ka pësuar humbjen më të thellë në këto zgjedhje, duke rënë në 13 përqind. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pa votat me postë dhe pa votat me kusht, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka fituar rreth 48% të votave, duke shënuar fitoren më të thellë. Këto rezultate përfshijnë 97 përqind të votave të përgjithshme që janë numëruar deri në këto momente dhe nuk përfshin votat me kusht dhe votat e ardhura me postë nga jashtë.

LDK-ja është mposhtur për herë të parë në bastionin e saj, Istogun e Ibrahim Rugovës. LVV-ja e ka fituar bindshëm edhe kryeqytetin, të cilin LDK-ja e ka udhëhequr në disa mandate. Tani LVV ka mbi 60 përqind, ndërsa LDK-ja 23 përqind.

PDK-ja është partia e dytë me 17.35 përqind të votave, ndërsa Drenica nuk e ka ndërruar atë. Partia e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, tani në duart e Enver Hoxhajt, kryeson në Skenderaj dhe Drenas. LDK renditet e treta, me 13 përqind të votave të përgjithshme. Ky është rezultati i saj më i dobët ndonjëherë, dyfish më i ulët se në zgjedhjet e para një viti e gjysmë.

Fillon një ditë e re

Në mesnatë, Kurti dhe Osmani, me një fjalim triumfues dolën para qytetarëve duke kujtuar se Kosovën tashmë e pret sfida e shtet-ndërrimit dhe se nuk është koha për hakmarrje dhe mllefe të vjetra. Kurti para qytetarëve tha se Vjosa Osmani do të jetë Presidentja e Kosovës.

“Ky referendum për drejtësi dhe punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës. Nga nesër fillon një ditë e re. Na presin shumë punë dhe angazhime, sepse vendi është në kriza të shumëfishta. Secili prej nesh duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon, për ta bërë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë, ashtu siç është i dashur për të gjithë. Prioriteti ynë është drejtësia dhe punësimi”, tha Kurti. Ai premtoi se do të udhëheqë “pa inate dhe pa revanshizëm”.

Ndërkohë, Vjosa Osmani, e cila në këto zgjedhje garoi në listën e Vetëvendosjes si kandidate për presidente u shpreh se institucionet e reja do të drejtohen nga drejtësia.

Çfarë presin qytetarët e Kosovës nga Vetëvendosje

Qytetarët e Kosovës, të cilët i dhanë një mbështetje morale, por edhe përkrahje politike Vetëvendosjes shprehën edhe mendimet e tyre se çfarë presin nga qeveria e re.

Hoti merr përgjegjësinë për humbjen

Rezultat zhgënjyes për LDK-në në zgjedhjet e 14 Shkurtit. Partia më e vjetër e Kosovës ka dalë e treta, ndërkohë në një konferencë për mediat kryeministri në detyrë dhe njëkohësisht kandidati i kësaj partie për kryeministër, Avdullah Hoti, tha se Kosova përmbylli një proces të rregullt zgjedhor. Ai u shpreh se rezultatet nga këto zgjedhje janë ndryshe nga çfarë është pritur nga LDK-ja.

“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Ndërkohë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook tha se Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, ndërsa, LDK-ja do t’i nënshtrohet një analize të thellë të zgjedhjeve në ditët në vijim.

“Në ditët në vijim, do të bëjmë një analizë të thellë të zgjedhjeve. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve. Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme dhe LDK do të punojë shumë që të rikthehet dhe ta sendërtojë vizionin e saj rugovian për vendin”, tha ai. 

Shpresa e vetme për Fatmir Limajn për të hyrë në Kuvend

Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor. Kjo parti numëron deri më tani 2.59% të votave. Siç shkruan Klan Kosova, shansi i vetëm që kjo parti të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës mund të jenë votat me kusht dhe ato nga diaspora që nuk kanë nisur ende të numërohen.

Nga Limaj nuk ka ende një deklaratë zyrtare. I vetmi që ka reaguar ditën e sotme ka qenë një prej përfaqësuesve të saj, Vesel Krasniqi. Ai ka falenderuar aktivistët për mbështetjen. Ndër të tjera, ai është shprehur se është humbur vetëm një betejë., ndërsa siguroi mbështetjen për liderin e partisë.

“Të nderuar mbështetës dhe simpatizant të Nisma-Socialdemokrate, nga zemra ju falënderoj për mbështetjen dhe tërë aktivitetin tuaj që keni dhënë gjatë këtyre ditëve. Ju garantojmë se kjo është vetëm një betejë e humbur, por luftën politike në mbrojtje të vlerave Kombëtare me çlirimtarët dhe për çlirimtarët do ta vazhdojmë dhe do ta fitojmë me komandant ÇELIKUN. Përjetësisht me ty dhe vetëm me ty LIDERI IM”, ka shkruar Krasniqi.

Hoxhaj: PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me LVV-në

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh kandidati i kësaj partie për kryeministër, e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren dhe ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.

“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.

Haradinaj uron LVV: Nuk kemi vija të kuqe për bashkëpunim

Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj, ka qenë i pari nga politikanët e tjerë të Kosovës që ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje, pas publikimit te sondazheve, ku kjo parti del fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

“Një trend i votës shihet se është nga Vetëvendosja dhe konstatohet një fitore e tyre. Shfrytëzoj rastin për ta uruar fitoren e Vetëvendosjes. Rezultatet përputhen edhe me pritshmëritë tona”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishte pritur një rezultat prej 10%, duket shtuar se kjo forcë politike nuk ka vija të kuqe për bashkëpunimin. 

Basha: I lumtur të bashkëpunoj me qeverinë e re të Kosovës

I pari që ka uruar liderin e Vetëvendosjes, Alib Kurtin dhe Vjosa Osmanin për fitoren e zgjedhjeve në politikën shqiptare ka qenë Lulzim Basha. Kreu i demokratëve përmes një postimi në rrjetet sociale tha se është i bindur që partia fituese e zgjedhjeve, por edhe ato të tjera do të mund të adresojnë dhe të zgjidhin sa më mirë sfidat me të cilat përballet Kosova.

“Urime VV, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren e zgjedhjeve. Kosova ka sfida të mëdha përpara. Jam i bindur se partia fituese e zgjedhjeve dhe partitë e tjera do të arrijnë ti adresojnë dhe zgjidhin ato në të mirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Kurti.

Më tej, kryedemokrati thotë se do të jetë i lumtur të bashkëpunojë ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës.

“Do të jem i lumtur të bashkëpunoj ngushtësisht me qeverinë e re të Kosovës, si sa i përket proceseve të integrimit euroatlantik dhe vijimit të njohjeve ndërkombëtare, ashtu dhe për zhvillimin ekonomik të të dy vendeve tona. Përgëzime nga zemra qytetarëve të Kosovës, institucioneve dhe partive politike për një proces zgjedhor shembullor me standarde europiane, model demokracie për mbarë rajonin”.

Balla uron Kurtin për fitoren: Jemi motër e vëlla, mësojmë nga njëri-tjetri

Kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka uruar Albin Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Ai përgëzoi popullin kosovar për pjesëmarrjen në zgjedhje të cilën e konsideroi të jashtëzakonshme pavarësisht pandemisë dhe motit ekstrem.

“Përgëzoj popullin e Kosovës për një pjesëmarrjes së jashtëzakonshme në kushtet e pandemisë dhe kushtet e motit ekstrem. Kemi diskutuar mbi zgjedhjet në Kosovë dhe siç e thashë konstatojmë me kënaqësi që këto zgjedhje vajtën shumë mirë dhe gjej rastin të përgëzoj të gjitha partitë politike për frymën dhe standardin. Por padyshim dua ta uroj me gjithë zemër Vetëvendosjen dhe mikun tonë Albin Kurti për fitoren e këtyre zgjedhjeve. Mezi presim të votojmë  me qeverinë e re, parlamentin e ri në funksion të integrimit”, tha Balla.

E teksa pa përfunduar mirë numërimi të gjitha partitë politike në Kosovë pranuan humbjen dhe Balla shtoi se kjo duhet marrë shembull nga partitë politike në Shqipëri.  

“Ne jemi motër e vëlla dhe sigurisht marrim nga njëri tjetri mësime, eksperienca. Ajo që për mua është e rëndësishme është që tashmë të gjitha partitë politike duhet të pranojnë rezultatin. Uroj që edhe në Shqipëri pas 25 Prillit çdo parti politike të pranojë rezultatin. Ata që humbin zgjedhjet duhet të kuptojnë që nuk është faji i popullit, por i atyre që humbin zgjedhjet”, tha Balla.

Zgjedhjet në Kosovë, Meta: Shembull i shkëlqyer i besimit tek demokracia dhe vota e lirë

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe klasën politike atje dhe thotë se kanë dhënë një shembull të shkëlqyer të besimit të demokracisë e votës së lirë. Meta përshëndeti pjesëmarrjen e lartë në votime dhe shton se Kosova ka hapur një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik.

“Urime të gjithë qytetarëve dhe klasës politike të Kosovës për shembullin e shkëlqyer të besimit te demokracia dhe vota e lirë, si dhe për standardet e suksesshme të arritura në zgjedhjet e djeshme parlamentare. E përshëndes pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, të cilët sfiduan kushtet e vështira atmosferike dhe pandeminë COVID-19, për të marrë në dorë fatet dhe për të vendosur të ardhmen e tyre. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Urojmë, që institucionet e reja, që do të formohen përmes bashkëpunimit, të udhëheqin me sukses shtetin e Kosovës për të fituar sfidat e të ardhmes”, shkruan Meta në Facebook.

BE: Kosova të vazhdojë dialogun me Serbinë

Bashkimi Europian ka reaguar pas zgjedhjeve që u zhvilluan në Kosovë të dielën. Në një deklaratë të përbashkët të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell-it dhe eurokomisionerit Oliver Varhelyi thuhet se BE-ja pret krijimin e qeverisë së re, Kuvendit dhe zgjedhjen e presidentit pas certifikimit të zgjedhjeve të 14 Shkurtit. Po ashtu, në deklaratë sigurohet se BE-ja do ta mbështesë Kosovën në progresin e saj drejt Bashkimit Europiën.

“Ne presim të shohim formimin e Kuvendit të ri, qeverisë si dhe zgjedhjen e presidenti të ri pas certifikimit të zgjedhjeve. Bashkimi Europian ka  vendosur një Mision Ekspertësh Zgjedhor, i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat pas-zgjedhore si dhe zbatimin e rekomandimeve. Bashkimi Europian do të vazhdojë punën me autoritetet për mbështetjen e Kosovës në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj europiane. Kjo do t’i kërkojë Kosovës reforma të thella, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabiizim Asocimit dhe Axhenda Europiane e Reformave si dhe bashkëpunim rajonal”, thuhej në deklaratë.

Po ashtu bëhet thirrje që të vazhdojë dialogu me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

“Rruga europiane e Kosovës shkon bashkë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet të Prishtinë të angazhohen me konstruktivitet në vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhej në deklaratë.

Rama uron Lëvizjen Vetëvendosje

Kryeministri Edi Rama ka uruar fituesin e zgjedhjeve të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe të gjithë forcat e tjera politike pas votimeve të 14 Shkurtit.

Në një postim në Twitter, Rama uron që vullneti i popullit kosovar të mishërohet në një kapitull të ri për vendin, qeveri të qëndrueshëm, dialog konstruktiv ndërpartiak si dhe zhvillim ekonomik e social.

“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social”, shkruan Rama.

Xhaçka uron LVV-në: Zgjedhjet në Kosovë, shfaqje maturie

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka reaguar pas zgjedhjeve në Kosovë duke uruar LVV-në për fitoren. Ajo i uron suksese kësaj partie në krijimin e qeverisë.

“Zgjedhjet në Kosovë ishin një shfaqje maturie demokratike e klasës politike & institucioneve. Urime LVV për fitoren! Shumë suksese në krijimin e qeverisë së re dhe fillimin e punës për adresimin e sfidave që Kosova ka përpara”.

Xhaçka siguron dhe thotë se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e palëkundur e interesave të Kosovës.

“Sikurse ka ndodhur në çdo moment të historisë sonë, Shqipëria do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e palëkundur dhe avokate e pakompromis e interesave të vëllezërve tanë kosovarë”.

Jep dorëheqjen Isa Mustafa

Rezultati zhgënjyes në zgjedhjet e 14 Shkurtit ka bërë që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të japë dorëheqjen. Lajmin e dha vetë Mustafa përmes një prononcimi për mediat. Ai u shpreh se do të tërhiqet në mënyrë që LDK-ja të zgjedhë sa më shpejt kryetarin e ri.

“Ajo që është reale është që unë do të tërhiqem dhe së shpejti LDK-ja do ta zgjedhë kryetarin e saj”.

Kreu në detyrë i LDK-së u shpreh se mban përgjegjësi për humbjen edhe pse nuk ka qenë drejtpërdrejt pjesë e zgjedhjeve,

“Do ti bëjmë përgatitjet përmes kryesisë që procesi të kryhet sa me sukses. Unë mendoj se mbart përgjegjësi objektive për këtë që ndodhi pa marrë parasysh që vetë nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve. Dua që LDK-ja të fuqizohet dhe të kthehet si forcë e rëndësishme politike”.

Mustafa u shpreh se deri më tani nuk ka tha emra se cili do ta zëvendësojë në krye të partisë pasi këtë sipas tij do ta vendosë Kuvendi i LDK-së.  

LDK-ja ka pësuar humbjen më të thellë në këto zgjedhje pasi ka rënë nën 13 përqind. Dikur kjo parti ka qenë kryesorja në vend, ndërsa me zgjedhjet e fundit LDK-ja nuk kryesonte as në komunat të cilat i kishte bastione të saj.

Një analizë të thellë brenda partisë, Isa Mustafa e paralajmëroi që pas rezultateve paraprake, ku LVV-ja kryesonte bindshëm. Ai respektoi rezultatin e votimeve dhe tha se LDK-ja do të punojë për rindërtimin e vizionit të saj rugovian për vendin.

/tvklan.al