Kryeministri në detyrë i Libanit kërkoi në Paris mbështetje për ushtrinë e kombit të tij dhe për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar të vendit.
“Agresioni izraelit jo vetëm që ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe humbje jetësh, por gjithashtu ka shkaktuar dëme të rënda në infrastrukture dhe ekonomi. Shpërngulja e një numri kaq të madh të qytetarëve tanë ka krijuar një krizë të paprecedentë humanitare.”
Rreth 70 delegacione qeveritare dhe 15 organizata ndërkombëtare u takuan në kryeqytetin francez me synimin për të mbledhur të paktën 500 milionë Euro ndihmë humanitare dhe për të nxitur një armëpushim.
Gjatë konferencës presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kishte dështuar në ruajtjen e paqes do të duhej të zbatohej plotësisht.
“Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të ketë një armëpushim në Liban. Më shumë dëme, më shumë viktima, më shumë sulme nuk do t’i japin fund terrorizmit dhe as nuk do të garantojnë sigurinë e të gjithëve.”
Dy fjalë pati edhe për Netanyahun, me të cilin marrëdhënia e tij është përkeqësuar.
“Kemi folur shumë ditët e fundit për një luftë qytetërimesh ose për qytetërime që duhen mbrojtur. Nuk jam i sigurt se ne mbrojmë një qytetërim duke mbjellë vetë barbarizëm.”
Macron tha se Franca do të jepte 100 milionë Euro ndihmë, ndërsa Gjermania tha se do të ofrojë 96 milionë Euro ndihmë për Libanin. Ai gjithashtu u zotua të ndihmojë në trajnimin e 6,000 forcave libaneze shtesë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josef Borrel njoftoi se do të jepen 60 milionë Euro për ushtrinë libaneze gjatë dy viteve të ardhshme.
Klan News