Pak ditë pasi akademiku dhe shkrimtari Rexhep Qosja foli rreth idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ish-Kryeministri Pandeli Majko thotë ku gabon Qosja, sipas tij.
Megjithëse Majko e cilëson Qosjen si një “cilësi e pandryshueshme kombëtare” ai thotë se “propozimin e tij për shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë e konsideroj të gabuar.”
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Majko tha se historia e re dhe e vjetër i kanë mësuar kombet se kufijtë nuk vendosen mbi dëshira kombëtare por janë dhe mbartin garancitë ndërkombëtare.
“Kufiri është serioziteti i çdo shteti për të respektuar fqinjin. Ai shpreh vullnetin për të respektuar rregullat ndërkombëtare që e bëjnë atë anëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.”
Ish-kryeministri shqiptar thotë se hapja e diskutimeve të tilla pas krizës së “trenit” të provokimit serb nuk është i dobishëm.
“Tashmë ka një vullnet ndërkombëtar të shprehur për sovranitetin territorial të Kosovës. Dëshirat janë njerëzore. Shteti ka qëllime. Nuk është e nevojshme që, pikërisht tani, të ngrihet nga ata që i duan dhe nuk i duan shqiptarët pyetja “Çfarë duan shqiptarët!?”,” tha Majko.
Ai shtoi se pasiguria në marrëdhëniet ndërkombëtare nxjerr të humbur palën që e nxit atë.
Pak ditë më parë, akademiku Qosja propozoi që t’i jepet Serbisë një pjesë e vogël e Kosovës Veriore e banuar me serbë, e t’i jepeshin Kosovës Presheva, Bujanoci e Medvegja me fshatrat përreth të banuara me shqiptarë. Propozimi i tij hasi në kritika të shumta në Kosovë dhe Shqipëri./tvklan.al