I kthyer në qendër  të debatit politik, fshati Ruzhdije vijon të jetë personifikimi i Dushkut të dikurshëm për opozitën, e cila si kusht të sajin pas hyrjes në Kuvend ka vendosur hapjen e kutisë së votimit në këtë zonë elektorale. Largimi i dy komisionerëve dhe sekretarit të Partisë Socialiste në qendrën e votimit 30/52 së bashku me vulën e ka detyruar asokohe Komisionin Qendror  të Zgjedhjeve, i cili bazuar në kodin elektoral dhe atë të procedures penale, të kërkojnë ndjekje penale ndaj shtetasve Pëllumb Fevzaj , Qazim Aliaj dhe Veladin Myrtaj.

Një proces hetimi ky nisur tashmë nga prokuroria e qarkut Fier, e që ndonëse parashikon 3 muaj kohë afat për organin e akuzës deri në përfundimin e hetimit bazuar dhe në kodin e procedurës penale ende s’ka përfunduar duke bërë që për mëse 7 muaj kjo dosje të qëndrojë në dyert e prokurorisë. Por çfarë masash duhet të marrin komisionerët e qendrave të votimit KZAZ-ve bazuar në kodin elektoral, kur ditën e zgjedhjeve shënohen incidente të tilla, që synojnë të bllokojnë procesin elektoral.

Neni 100, pika 5 e tij, parashikon qartazi se në raste të tilla kur vula i dorëzohet KZAZ-së, atëherë ky i fundit duhet të kthehet pranë komisionit të qendrës së votimit, gjë që nuk ndodhi me Ruzhdien. Edhe pse më 28 Qershor ka qenë vetë kryetari i KQZ-së Arben Ristani, i cili nëpërmjet një shkrese ka kërkuar kthimin e saj pranë qendrës së votimit në mënyrë urgjente. Një gjë e tillë nuk ndodhi. Por komisionerët socialist pretendojnë se ditën e zgjedhjeve u kërcënuan me jetë nga kolegët e tyre demokratë gjë për të cilën deri më tani nuk ka asnjë kallëzim penal të bërë pranë prokurorisë së Qarkut Fier.

Edhe këtu Kodi Zgjedhor  dhe udhëzimi i KQZ-së sanksionon marrjen e masave të menjëhershme  ku i kërkohet forcave të rendit të ndërhyjnë urgjent, pasi një gjë e tillë u bëhet atyre me dije qoftë dhe nga një anëtar i qendrës së votimit.

Udhëzimi 7, në nenin 7 fraksion 1 ,2,3 dhe 4 i cili flet për detyrat e Policisë së Shtetit, saktëson se kur në qendrën e votimit rrezikohet rendi apo zhvillimi i rregullt i votimit KQV-ja me vendim thërret organet e policisë së shtetit dhe kryetari, zv/kryetari apo çdo anëtar i qendrës së votimit thërret menjëherë policinë dhe njofton KZAZ-në për incidentin e ndodhur, gjë që nuk ka ndodhur nga komisionerët socialist, as në qendrën e votimit as në KZAZ-në ku shumicën e kishte subjekti elektoral i Partisë Socialiste. Por cila është Ruzhdia dhe si njihet ajo në historikun e zgjedhjeve?

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2003 e deri në ato parlamentare te 2009-ës kjo zonë figuron si bastion i djathtë. Në 4 proceset elektorale, 2 ato lokale dhe 2 parlamentare, Ruzhdia është pozicionuar pro koalicionit të djathtë çka duket qartazi dhe në tabelën e mëposhtme./tvklan.al