Kryetarët e partive kryesore shqiptare në Maqedoni, përshëndesin arritjen e marrëveshjes për koalicion qeveritar mes Partisë Demokratike si fituese e zgjedhjeve parlamentar në Shqipëri dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, vlerëson se me formimin e këtij koalicioni, Shqipëria i ka iku një krize të mundshme pas zgjedhore.
Ali Ahmeti: “Në qoftë se zoti Meta do të hezitonte, unë mendoj se do të bënte gabim shumë të madh se Shqipërinë do ta fuste në një krizë dhe Shqipëria tanimë nuk ka nevojë që të përjetojë kriza politike. Por ka nevojë që proceset euro-integruese të ecin përpara”.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, përmes një telegram urimi dërguar kryeministrit Sali Berisha, e ka uruar fitoren e koalicionit të djathtë në zgjedhjet parlamentare, duke vlerësuar se në këtë mënyrë Shqipëria i është bashkangjitur shteteve më demokratike të Evropës.
Thaçi ka uruar kryeministrin Berisha dhe për gatishmërinë e treguar për të formuar koalicion qeveritar me LSI-n.
Telegram urimi deri te kryeministri Berisha, ka dërguar edhe kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, i cili ka shprehur bindjen e tij se koalicioni mes PD-së dhe LSI-së do të jetë koalicioni i integrimit dhe zhvillimit dhe se kjo qeveri do t’ia sjell vendin e merituar Shqipërisë në BE.
Nga Shkupi për TV klan, Isen Saliu./tvklan.al