Në Maqedoni po mbahen zgjedhjet parlamentare. Afro 1 milion e 750 mijë votues zgjedhin përfaqësuesit e tyre kuvendorë. 2900 qendrat e votimit janë hapur në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19. Në këto zgjedhje të gjashtat e radhës por të parat e parakohshme që pas pavarësisë, aplikohet sistemi proporcional. Maqedonia është e ndarë në gjashtë njësi zgjedhore. Nga çdo njësi dalin 20 deputetë. Në garë janë 18 subjekte, dy koalicione, dy kandidatë të pavarur dhe 14 parti politike. Dy koalicionet tradicionalisht kundërshtare janë të formuara nga VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate. Në kampin politik shqiptar në garë janë Partia Demokratike Shqiptare dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, Partia e Prosperitetit Demokratik, Bashkimi Demokratik Kombëtar dhe Bashkimi Demokratik Shqiptar. Këto parti garojnë në katër zona elektorale, ndërsa më e madhja është ajo me numër gjashtë që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe një pjesë të Kërçovës. Sondazhet para votimeve tregojnë se partia konservatore e kryeministrit, Nikola Gruevski, është në avantazh ndaj dy partive rivale shqiptare.
Për herë të parë në këto zgjedhje anëtarët e komisioneve zgjedhore për herë të parë nuk janë përfaqësues të partive politike, por të punësuarit në administratën publike. Për ndjekjen e këtij procesi janë akredituar mbi 5 mijë vëzhgues vendorë, të OSBE-së, BE-së dhe NATO-s.
Në një qendër votimi në Shkup vëzhguesit e Këshillit të Evropës thanë, se kishin vënë re parregullsi të shumta dhe shqetësuese. Sipas tyre vetëm një nga tre kuti votimi ishte e vulosur në mënyrë të rregullt. Incidente janë shënuar edhe në Haraçi dhe Shkup, ku sipas Bashkimit demokratik për Integrim janë plagosur tre aktivistë të saj.
Diplomatë perëndimorë kanë bërë thirrje që procesi zgjedhor të kalojë pa incidente dhe zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Rezultatet e para jo zyrtare, priten të dalin disa orë pas hapjes së kutive të votimit.
Fushata zgjedhore u përshkua nga dhuna, pjesa më e madhe e të cilëve mes shqiptarëve. Autoritetet maqedonase janë zotuar të zbatojnë masa të rrepta sigurie për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë këtij procesi./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle