Lajme Arkiva 2003
Marrja në pyetje e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës Vali Bizhga, për padinë e depozituar nga kryetari i komisionit anti-Rama, Sokol Olldashi ka hapur një sherr tjetër mes socialistëve dhe demokratëve. Mbledhja e radhës e komisionit hetimor ka degjeneruar në akuza dhe kundër akuza për rolin e prokurorisë në këtë çështje.
Bardhyl Agasi: Veprime të tilla siç ka bërë prokurori Stojani, të kujtojnë veprime të prokurorisë së shtetit të diktaturës dhe ne me këtë rast denoncojmë publikisht këtë veprim të tij të paligjshëm në orët e vona të natës ndaj një punonjësi që ka kryer detyrën me përpikëri dhe për më tepër nuk është ajo që ka bllokuar komisionin, është faji i këtij komisioni, i të dy palëve sepse edhe ju vepruat në mënyrë të njëanshme dhe Bashkia e Tiranës ka pasur një shkresë nga pala tjetër socialiste, për t’ju kundërpërgjigjur veprimit tuaj të njëanshëm.
Sokol Olldashi: Protestat tuaja ndaj prokurorisë më krijojnë idenë e vazhdimit të një politike bllokimi qyq ju keni pasur sistematikisht qoftë në parlament, qoftë në komision qoftë në bashki dhe një presion mbi institucionet që veprojnë në mënyrë të pavarur. Ajo që është sigurisht e paligjshme në këtë mes është veprimtaria e Bashkisë së Tiranës, e cila prej tre javësh po bllokon aksesin e komisionit në dokumentacionin e saj.
Socialistët mbajtën këtë qëndrim tre ditë pasi kryetari i grupit paralamentarë socialist Gramoz Ruci denoncoi veprimin e prokurorisë si rrëmbim të nënkryetarës së bashkisë. Por vetë zonja Vali Bizhga ashtu si në letrën e drejtuar kryetarit të Kuvendit Pëllumbi ka shpjeguar në një intervistë për Tv Klan se kishte rënë dakord të merren në pyetje nga prokuroria në orën 18 të së premtes.
Vali Bizhga: Unë jam kallëzuar për pengimin e hetimeve nga ana e tyre.
Gazetarja: Çfarë qëndrimi mbajti ndaj jush prokuroria?
Vali Bizhga: Prokuroria ka mbajtur një qëndrim korrekt përveç orës së zgjatur që unë isha atje dhe shpjegimeve që më kërkuan.
Zonja Bizhga do të thirrët sërish në prokurori për të sqaruar pozicionin e Bashkisë së Tiranës, për dy ditët kur ky institucion i mbylli dyert anëtarëve opozitar të komisionit anti-Rama./tvklan.al