Përmes një proteste në heshtje opozita e vijoi mosbindjen civile në qytetin e Shkodrës, aty ku pak ditë më parë, si pasojë e një atentati humbën jetën 3 qytetarë. Me pankarta në duar, ku shkruhej “Qytetërimi është më i fortë se krimi, po na vrasin duhet reagim“, mbështetësit e opozitës marshuan për afro 50 minuta nëpër rrugët e qytetit verior.

Tubimi nisi nga sheshi përpara godinës së bashkisë. Më pas, protestuesit vijuan në heshtje përmes pedonales “Koli Idromeno” dhe në sheshin “Nënë Tereza”, për t’u ndalur për disa minuta përpara godinës së Prefekturës.

Kjo protestë sipas Sekretarit të Përgjithshëm të demokratëve dha mesazhin se Shkodra e refuzon krimin dhe pushtetin politik të mafies.

“Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe Rilindja. Kjo gjëndje bëhet nga Rama që të vijë i pari i listës këtu.”

Ndërsa kreu i grupit parlamentar të demokratëve tha se atentati i 30 tetorit në Dobraç ishte një ngjarje e paralajmëruar, duke ngritur akuza për lidhje të policisë me bandat e këtij qyteti.

“Ngjarja ishte e paralajmëruar, mund të ishte parandaluar. Është një ngjarje e rëndë që krijon terror për qytetarët. Pushteti që krimi i organizuar ka marrë në Shkodër për shkak të lidhjeve të forta me politikën dhe qeverisjen, është një fenomen që duhet të kundërshtohet.”

Për shkak të protestës për afro një orë u “paralizua” edhe lëvizja e automjeteve në Shkodër.

Tv Klan