Një ditë pas protestës së opozitës, Sali Berisha falenderoi qytetarët, të cilët tha se për 3 orë çliruan Tiranën nga kthetrat e narkoshtetit.
Të arrestuarit i pagëzoi si guximtarë të mosbindjes civile, ndërsa autorët e prangosjeve i paralajmëroi për atë që i pret.
“Dua t’i garantoj se autorët e burgosjes së tyre, e keqtrajtimit, do marrin të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor”, tha kreu i demokratëve.
Berisha u shpreh i bindur se përmes mosbindjes civile, opozita do ia dalë të krijojë qeverinë teknike, duke sjellë ndryshimin për shqiptarët.
“PD në këtë përpjekje, më 11 Maj do të firmosë së bashku me partitë opozitare, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës në Shqipëri”, u shpreh ai.
Sërish iu rikthye akuzave ndaj Kryeministrit Rama, të cilin e akuzoi se qëndron pas dhunës që tha se policia ushtroi ndaj nënkryetarit të Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj.
“Narkoshteti mbrëmë përdori narkopolicinë me uniformë për të goditur deputetin, nënkryetarin e Parlamentit dhe nënkryetarin e PD, Agron Gjekmarkaj, duke e bërë atë për spital”.
Vetë Gjekmarkaj pasi la ambientet e QSUT-së reagoi përmes një deklarate, duke akuzuar policinë se përdori dhunë ndaj tij, çfarë çoi më pas edhe në humbjen e ndjenjave gjatë protestës së të hënës.
Tv Klan