Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Ardhja e Sekretarit Amerikan të Shtetit Kolin Powell, duket se do të angazhojë një numër të madh forcash policore dhe speciale, për të siguruar tre orët e qëndrimit të tij në Tiranë. Powell pritet të mbërrijë në aeroportin e Rinasit, me një avion special, Burimet e Ministrisë së Rendit thonë, se rreth dy mijë forca policore dhe speciale shqiptare, do merren me sigurimin fizik të eskortës së sekretarit amerikan, për të cilin do të kujdesen edhe marina amerikanë.
Dihet tashmë se një bazë e CIA-s është vendosur prej disa vitesh në afërsi të autostradës Tiranë-Durrës dhe ku janë të pranishëm një numër marinsash. Burimet zyrtare konfirmojnë se Poëell do të pritet në aeroport nga kryeministri Fatos Nano dhe anëtarë të qeverisë. Burimet e policisë saktësojnë se nuk do të ketë bllokim rrugësh apo ndalim të qarkullimit, në asnjë nga akset ku do të kalojnë eskortat e zyrtarëve.
Pritet që ndalesa e parë e zotit Powell të jetë në Ambasadën Amerikane, vend nga i cili ai pritet të lëviz në këmbë i shoqëruar gjithmonë nga truprojat amerikane dhe ato të Gardës së Republikës. Takimi në presidencë, me kryetarin e shtetit Alfred Moisiu do të vijojë në Kryeministri me zotin Fatos Nano, Më tej në Pallatin e Kongreseve me ministrat e jashtëm dhe së fundi me takimin zyrtar në Ambasadën Amerikane.
Gjatë gjithë kësaj kohe, forcat speciale do të qëndrojnë përveç akseve kryesore të Tiranës edhe në pikat e larta në qendrën e saj, për të vëzhguar dhe pasur nën kontroll çdo lëvizje. Fakti se nesër në kryeqytet do të merren masa tepër të rrepta sigurie mund të ketë lidhje dhe me atë, se pak muaj më parë përfaqësues të inteligjencës amerikane, e njohur si FBI, i ka dorëzuar prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollaku një listë me persona të dyshuar për terrorist islamikë dhe që mendohet të kenë ndenjur në Shqipëri./tvklan.al