Pas bashkëpunimit të Qeverisë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, në Parkun Kombëtar të Butrinit, Amfiteatrin e Durrësit, Kalanë e Beratit, por edhe Piramidën në Tiranë, marrveshja e radhës është ajo e rijetizimit të Kalasë së Elbasanit.

Nga aty, nisur nga historiku i përplasjeve për formën e menaxhimit sidomos për Parkun Kombëtar të Butrintit, Kryeministri Edi Rama nuk ngurroi që në nisje të fjalës, t’i jepte përgjigje kritikëve të opozitës.

 “AADF Ka një stalker të personalizuar një personazh kanarinë në zooparkun e politikës shqiptare që këndon në mënyrë persistente, duke bërë kukuvajkën e punës së fondit. Dhe mbasi AADF ka grabitur me sukses Butrintin dhe ia ka dalë të vihet në zotërim të pasurisë kombëtare… Tani na është bashkuar të na grabisë Kalanë e Elbasanit, por ne kemi siguruar që grabitja të kryhet këtu mos na e çojnë në një vend të botës”, tha Rama.

Për më tepër historikun e bashkëpunimit me AADF-n e quan të suksesshëm.

Rijetizimi i monumentit emblemë të qytetit dhe investimi në automotoparkun në Elbasan, për kreun e qeverisë do ta shndërrojnë qytetin në një pol të ri të Tiranës metropol.

“Të kemi praktikisht në Elbasan një pol të ri të Tiranës metropol. Faktikisht Durrësi, Dibra dhe Elbasani janë tre krahë, ose janë tre degëzime të natyrshme të metropolit të Tiranës. Kështu me këtë zhvillim, me këta komponentë besoj që më herët se vonë të gjithë ata që jetojnë në Elbasan do të jenë faktikisht jo thjesht nga pikëpamja e distancës, por nga pikëpamja e integrimit ekonomik dhe social pjesë e metropolit të kryeqytetit. Automotoparku do funksionojë 365 ditë të vitit. Do jetë një pikë që do funksionojë si një pikë e shumë shërbimeve, e edukimit të sigurisë rrugore, si pikë për gara të niveleve të ndryshme motoçiklistike dhe do funksionojë si pikë për turizmin e përditshëm për shumë e shumë arsye me muzeumin, me zonën rekreative”, tha Rama. 

Investimet në Elbasan, për kryeministrin Rama do të sjellin padyshim edhe rritjen e numrit të turistëve dhe përmirësim në pikëpamjen socio- ekonomike të qytetit.

Tv Klan