Për të parandaluar përhapjen e virusit A H1N1, apo gripit të derrit, në Shqipëri, pasi numri i personave të prekur nga ky virus është rritur në vendet fqinje, Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës në bashkëpunim me Policinë Kufitare kanë ngritur karantinën në pikën doganore të Durrësit, për izolimin e çdo rasti të dyshuar me virusin  A H1N1.

Drejtoresha e shëndetit publik në qytetin bregdetar, thotë se ndërkohë po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbikëqyrjen e udhëtarëve të cilët shkelin vendin tonë nëpërmjet pikës kufitare të doganës së Durrësit.  

Lida Boshku: “Na frikëson kjo që të kontrollojmë të gjithë pasagjerët që vijnë në portin e Durrësit dhe aq më tepër në këtë sezon turistik që ka një dyndje të vërtetë të pasagjerëve  dhe të udhëtarëve në këtë port. Grupi i punës me specialist të epidemiologjisë kanë qenë mund të them në çdo traget që ka hyrë në portin tonë.”

Në pikën kufitare të Durrësit ka një shërbim anti-epidemik me mjekë specialistë dhe me personel ndihmës, dhe të gjithë shtetasit që hyjnë nëpërmjet kësaj pike monitorohen nga tre grupe kontrolli.

Liljana Olldashi: “Kur në pasaportën e tyre është brenda 10 ditëve udhëtimi nga këtij shtete, veçohen derisa personeli mjekësor të marri të gjithë anamnezën e sëmundshmërisë. Në qoftë se do të kishim ndonjë rast të dyshuar neve kemi në dispozicion karantinën. Do ta marrim personin, do ta mbajmë në karantinë. Do njoftohen institucionet përkatëse.”

Drejtoria e shëndetit publik në Durrës në bashkëpunim edhe me grupin shëndetësor të portit kanë përgatitur hapësira spitalore për izolimin dhe trajtimin e të sëmurëve në rast te paraqitjes se ndonjë rasti me këtë grip.

Sipas autoriteteve të shëndetit publik janë siguruar edhe medikamentet e nevojshme për asgjësimin e përmasave epidemike të gripit te derrit./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi