Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë pretendimet e Partisë Socialiste, se procesi i aplikimit dhe pajisjes me letërnjoftime është selektiv dhe i manipuluar. Po kështu, ky dikaster ka përgënjeshtruar deklaratat e selisë rozë, se nuk i janë vënë në dispozicion listat e qytetareve pa pasaportë. Në një konferencë për shtyp, zëdhënësi Konja, publikoi edhe një shkresë zyrtare, ku tregohet se ministria ia ka dërguar këtë listë Partisë Socialiste.
Fatmir Konja: “Ministria e Brendshme përgënjeshtron deklaratat e pavërteta të Partisë Socialiste për mungesë informacioni për listat e qytetarëve pa pasaportë, pasi ky informacion i është dërguar në mënyrë periodike përfaqësuesve të Partisë Socialiste që nga fillimi i procesit.
Lista emërore e rifreskuar e personave pa pasaportë i është dërguar Partisë Socialiste në datën 5 Maj 2009, ndërsa informacioni më i fundit për procesin i është dërguar në datën 20 Maj 2009.
Çdo korrespondencë dhe informacion i dërguar mund të gjendet gjithashtu në faqen zyrtare elektronike të Ministrisë së Brendshme.”
Nga ana tjetër, ministria e Brendshme ka akuzuar Partine Socialiste se ka dhunuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi informacionet që ky dikaster i ka vënë asaj në dispozicion, kjo parti i ka përdorur në ambiente të hapura publike.
Fatmir Konja: “Ministria e Brendshme është e shqetësuar pasi Partia Socialiste ka dhunuar ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke ia dhënë këto informacione zyrtare personave të paautorizuar dhe duke i përdorur në ambiente të hapura publike.”
Në këtë deklaratë, ministria e Brendshme ka garantuar edhe njëherë se askush nuk do të mbetet pa u pajisur me letërnjoftimin elektronik, duke sqaruar se çdo qytetar shqiptar që do të paraqitet për t’u pajisur me letërnjoftimin, i ka të gjitha kushtet e garantuara për ta marrë këtë dokument brenda 10 ditësh nga data e aplikimit./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami