Që prej dy ditësh vijon në të gjithë Shqipërinë shpërndarja e bonusit për festat e fundvitit për pensionistët.

Rezulton se deri më tani mbi 51 mijë pensionistë në të gjithë vendin kanë tërhequr këtë bonus. Shifrat janë bërë publike nga Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook.

“Në ditët në vijim i gjithë fondi prej 100 milionë Eurosh do t’u shpërndahet 724,933 pensionistëve, ku falë rritjes ekonomike 511,173 pensionistë do të marrin trefishin e një viti më parë dhe 213,760 pensionistë do të marrin dyfishin e një viti më parë. Dhe si në asnjë vit, pensionistët vitin e ardhshëm do të marrin dy bonuse, në pranverë dhe dimër”.

Sipas vendimit të qeverisë, pensionistët që marrin deri në 20 mijë Lekë përfitojnë bonus prej 150 Eurosh. Ndërsa ata që kanë një pension më shumë se 20 mijë Lekë përfitojnë 100 Euro.

Referuar buxhetit për vitin e ardhshëm, politika nga indeksimi i pensioneve arrin në masën 1,618 miliardë Lekë dhe shpërblimi i fundvitit 3,750 miliardë Lekë.

Qeveria parashikon gjithashtu edhe kryerjen e një reforme në fushën e pensioneve ku pritet që me skemën e re të mos ketë më pensione nën kufirin apo pragun e 150 Eurove.

Tv Klan