Për herë të parë në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar jashtë radhe dhe të paralajmëruar një ditë më parë, kryeministri Berisha dhe ligjvënësi demokrat kanë diskutuar mbi draftin për zbardhjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit.
Pas një paranteze të gjatë për mënyrën se si janë hapur dosjet në vendet ish komuniste dhe krimeve të shumta të kryera nga regjimi komunist, Berisha me tone të ashpra ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës në komisionin e ligjeve se propozimi i demokratëve shkel kushtetutën.
Sipas Berishës në PS ende ka mbetje të nomenklaturës komuniste që kanë fuqi vendimmarrëse.
Sali Berisha: “Nuk ka diskutim që PS është trashëgimtare me ligj dhe me frymën e Partisë së Punës. Por nga ana tjetër të themi realitetin sot lidershipi i saj nuk mund të themi se është i ish-nomenklatura e vjetër. Shumë prej tyre janë të rinj të cilët duhet të bashkoheshin dhe u takonte atyre për mendimin tim për të faktuar reformimin, për të faktuar vendosmërinë e tyre për tu shkëputur nga faqja më e zezë dhe më tragjike e historisë kombëtare. Dje na dolën kundër dhe citonin ligjin, absolutisht mu duk, se po i referoheshin kushtetutës së Enver Hoxhës, por fakton se aty ka një invonucion. Forcat që përfaqësojnë nomenklaturën dhe krimet monstruoze të komunizmit janë të gjithëfuqishme.”
Megjithatë kryeministri u ka kërkuar socialistëve të bashkojnë votat për të votuar një draft të vetëm për të bërë pastrimin e figurave që kanë bashkëpunuar me sigurimin e shtetit.
Sali Berisha: “Nuk dua ta bëj këtë një çështje midis pozitës dhe opozitës. E ftoj sërish PS dhe të gjitha forcat politike të bashkohemi në këtë projekt.”
Për kryeministrin Berisha pas miratimit të ligjit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimsave, parlamenti dhe jo qeveria duhet të punojë mbi një ligj për ngritjen e një instituti kërkimor për të gjitha krimet e komunizmit në vendin tonë./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka