Në mbledhjen e së premtes në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i kërkoi Serbisë të mos ndërhyjë më në punën e institucioneve të Kosovës e t’i japë fund provokimeve. Pavarësia është e pakthyeshme, ajo është thelbësore për paqen dhe sigurinë në rajon, ndaj negociata të reja do të nxisnin konflikte, shtoi Hyseni në fjalën e tij.
Por presidenti serb, Boris Tadic, përsëriti në vazhdimësi se vendi i tij “nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, as direkt, e as indirekt”. Në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, të paraqitur në seancë, u theksua se gjendja në Kosovë paraqitet e qetë, por e brishtë, veçanërisht në veri, ku ka tensione mes shqiptarëve dhe serbëve. Nga ana tjetër, gjatë fjalës së tij, presidenti serb Boris Tadic, sulmoi gjithashtu homologun e tij kroat, Stipe Mesiç, për deklaratat e këtij të fundit në lidhje me dërgimin e trupave ushtarake në Bosnjë.
“Kjo është tepër e rrezikshme”, tha Tadic, “dhe luftënxitëse”. Sipas tij, nuk ka asnjë lloj justifikimi për përdorimin e forcës, si në Bosnjë, ashtu edhe në çdo vend tjetër të Ballkanit. Pak ditë më parë, presidenti kroat tha se do të dërgonte trupa ushtarake në Bosnjë nëse boshnjakët serbë do të përpiqeshin të ndaheshin./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle