Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Mbetet pezull çështja e transmetimit të këngës “Tirona”. Nuk i takon KQZ që të vendos nëse duhet transmetuar ose jo kënga “Tirona” e grupit West Side Family. Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi përjashtoi kështu institucionin që përfaqëson nga vendimmarrja e kësaj çështjeje. Ai mori miratimin e 6 anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
Ilirjan Celibashi:- “Nuk e kuptojë, pse duhet që KQZ, të bëjë një listë të aktiviteteve, të subjekteve të ndryshme zgjedhore paraprakisht, duke klasifikuar që këtë fute në aktivitet politik, këtë mos e fut. Ju jeni anëtar bordi, monitoroni televizionin, në qoftë se ju e konsideroni si aktivitet elektoral futeni në kohën e tyre. Pse duhet të marri vendim KQZ për këtë çështje”.
Kjo çështje u diskutua pas kërkesës së bordit të monitorimit të medias rreth fushatës zgjedhore, sipas të cilës, minutazhi i transmetimit të këngës “Tirona”, t’i bashkëngjitet aktiviteteve elektorale të PS. Anëtari i këtij bordi, Muji Buçpapaj tha, se për përpilimin e kërkesës janë marrë parasysh sugjerimet dhe konsultimet me ekspertë të OSBE dhe ODHIR-it.
Ndërkaq, pas kërkesës së dërguar nga Kuvendi i Shqipërisë, për zëvendësimin e deputetit Spartak Ngjela, KQZ vendosi ta zëvendësojë atë me zotin Luan Skuqi, emri i të cilit radhitet i pari në listën proporcionale të PD, në zgjedhjet e Qershorit 2001. Ky vendim u miratua me 5 vota pro të anëtarëve të KQZ.
Një tjetër çështje në rend të ditës ishte monitorimi i televizioneve për ditën pararendëse. Ndërkaq KQZ ka rrëzuar kërkesën e kandidatit të PS për bashkinë e Durrësit Lefter Koka, si të pabazuar. Koka kërkoi që t’i ndalohej ambasadave të huaja të prononcoheshin në qytetin e Durrësit mbi përkrahjen e kandidatëve të ndryshëm për këtë bashki./tvklan.al
Gazetare – Danjela Kostandini