Pasi e cilësoi si ligjin kundër mafia së tokës atë mbi titujt e pronësisë, kryeministri Berisha ja kushtoi gjithë deklarimin e tij në mbledhjen e qeverisë pikërisht kësaj çështjeje. Me një ton të fortë Berisha dha garanci se nuk do të preket që është marrë në rrugë të ligjshme.
Sali Berisha: “Ju garantoj, të gjithë qytetarët shqiptarë, fermerët shqiptar që kanë marrë tokë në përputhje me ligjin 7501, ky proces nuk ju cenon atyre as dhe një centimetër tokë. Çdo përpjekje për t’i trembur dhe frikësuar është thjesht përpjekje që mafia grabitqare e tokës bën kundër këtij ligji. Kjo parti dhe ky koalicion partish nuk ka pasur dhe s’ka pranuar dhe s’do pranojë të ndryshojë ligjin 7501.”
Kryeministri fli për abuzime prej disa miliarda dollarësh me tokën duke i grupuar abuzuesit në dy kategori, qeveritar si dhe drejtues bashkish e komunash. Berisha garantoi gjithashtu për aksione të ligjshme, larg çdo ndikimi politik.
Sali Berisha: “I cilido grupim të jetë pushtetari vendor apo lokal apo qendrorë që ka përvetësuar tokë në kundërshtim me ligjin, do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi tokën që me pusulla dhe kundrejt korrupsionit në kundërshtim me ligjin 7501 kanë ndarë qoftë edhe 10. U kanë dhënë të tjerëve sasira të mëdha toke, pa asnjëlloj baze ligjore. Synojmë sipërfaqet e pushtuara me dhunë nga qeveritarët qendrorë dhe vendorë, ato të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës për t’ju kthyer pronarëve.”
Si një moment që lehtëson procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, kryeministri gjeti rastin të ftojë të gjithë ata që kanë përfituar në mënyrë të padrejtë tokë të bëjnë dorëzim vullnetar të saj.
Sali Berisha: “Ne nuk kemi synim ndëshkimin, ne kemi synim të drejtën rivendosjen e të drejtës dhe përcaktojmë një periudhë në të cilën çdo posedues i pamerituar i tokës dorëzon në komision.”
Sipas ligjit të ri mbi titujt e pronësisë zëvendës kryeministri Genc Pollo është kryetari i komisionit qeveritar të pronës. Krahas kësaj strukture në të 12 prefekturat e vendit do të ngrihen komisionet lokale. Kryeministri kërkoi nga ministri Gjana pajisjen e këtyre komisioneve me hartën digjitale të territoreve që mbulojnë. Verifikimi ashtu siç premtoi kryeministri do të duhet të jetë i fundit për të gjithë shtetasit që disponojnë tituj pronësie./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Enver Shehu