Sali Berisha: “Vazhdon ofensiva demokristine.”

Me këtë batutë të kryeministrit që i referohet demokristianëve të përfshirë nga një krizë brenda gjirit të tyre, ka nisur mbledhja e përjavshme e këshillit të ministrave. Kreu i ekzekutivit ka bërë publik vendimin e qeverisë për lëvrimin e 420 milion lekëve, që do të përdoren për zbatimin e projekteve për  rikonstruktimin e rrugëve dytësore në të gjithë vendin. Ku me prioritet do të shikohen ato në zona bujqësore dhe turistike.

Sali Berisha: “Vlera prej 20 milion do mund të përdoret për rreth 1500 kilometra. Rrugë dytësore dora-dorës gjer nga fundi i qershorit që të gjitha tenderohen.”

Duke i parë investimet në infrastrukturën rrugore si prioritete, sipas Berishës përmbushen premtimet elektorale që në këndvështrimin e tij vërtetojnë se ai është kryeministri i premtimeve të mbajtura.

Sali Berisha: “Sado që të përpiqen t’i mashtrojnë shqiptarët me Headline, tituj e nëntituj, atyre çdo ditë e më shumë u rritet besimi te kryeministri i tyre, sepse shohin çdo ditë se si ai dhe qeveria e tij mbajnë një nga një zotimet.”

Ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e Kuvajtit për rindërtimin e sheshit “Skënderbej” kryeministri e ka komentuar si shembull të bashkëpunimit me qeverisjen lokale. Në mënyrë të veçantë me bashkinë e Tiranës që drejtohet nga socialisti Rama.

Sali Berisha: “Është një shembull kjo jo vetëm i bashkëpunimit ndërkombëtar, por edhe  bashkëpunimit me qeverisjen vendore, nuk na pengon dallimi partiak për të patur një partneritet.”

Nën frymën bashkëpunuese me pushtetin lokal të Tiranës kryeministri ka kërkuar përshpejtimin e punës për shpronësimin e subjekteve brenda unazës së madhe të qytetit, ndërtimi i së cilës do të bëjë të mundur uljen e trafikut në kryeqytet./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka