Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kongresi i eurosocialistëve ka mbyllur punimet dy ditore, duke rikonfirmuar në krye të FRESH Gjergj Kojën. Pa pasur asnjë kundërshtar për postin e kryetarit zoti Koja ka marrë 393 vota nga 406 delegatë pjesëmarrës në kongres. Pas shpalljes së rezultatit, Koja është angazhuar për të realizuar synimet e të rinjve eurosocialistë, në rrugën e nisur edhe nga paraardhësit e tij.

Gjergj Koja:- “Jam shumë i obliguar nga vota juaj dhe e mijëra eurosocialistëve që ju përfaqësoni në këtë kongres kaq të rëndësishëm, që jo vetëm të vazhdojë rrugën e paraardhësve tanë, si kryetar i FRESH-it, por në të njëjtën kohë, të jem shumë më i vendosur që së bashku me ju, t’i çojmë në radhë të parë deri në fund iniciativat tona për mbrojtjen e interesave të rinisë shqiptare dhe gjithashtu të vazhdojmë që të mbetemi dhe të forcojmë si një alternative, e mirëfilltë politike e së majtës shqiptare, ku elektorati shqiptar duhet të ketë besim për zgjidhjen e problemeve të tij”.

Në kongresin e 5-të të eurosocialistëve u miratuan edhe ndryshimet në statut që kanë të bëjnë me angazhimin e FRESH-it në politikat integruese të vendit dhe kërkesat për liberalizimin e arsimit të lartë./tvklan.al