Policia greke ka goditur një tjetër rast të trafikut të lëndëve narkotike, duke arrestuar një shtetas shqiptar. Ai është 36 vjeç, ndërsa identiteti nuk bëhet me dije. Shqiptari u kap në Igumenicë gjatë një aksioni të koordinuar anti-drogë.
Ai po transportonte me automjetin e tij 133 kg kanabis sativa, e ndarë në 79 pako. Policia greke thotë se shqiptari ecte me shpejtësi dhe nuk respektonte rregullat e qarkullimit. Kur u përpoqën për ta arrestuar, 36-vjeçari braktisi makinën dhe tentoi të arratisej në këmbë. Por, u arrestua pak minuta më vonë pas ndjekjes nga autoritetet.
Nga verifikimet rezulton se automjeti me të cilin ai udhëtonte, ishte raportuar i vjedhur në Greqi në 17 janar të këtij viti dhe ishte me targa false. Ndërsa, shqiptari nuk posedonte as dokumente personale të ligjshme. Automjeti dhe lënda narkotike u sekuestruan, ndërsa shqiptari akuzohet për trafik droge dhe hyrje të paligjshme në vend. /
tvklan.al