Pas shumë stuhive në jetën e saj, pas një martese pa dashuri e me shumë dhunë dhe divorcit, Rozi nisi të rindërtonte jetën. 13 vite më parë, krejt papritur, fati solli në rrugën e saj dikë për të cilin kur rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty, i shkëlqejnë sytë.

Pavarësisht kërkesës së tij, Rozi vendosi të qëndronte te djali i saj në Francë por personi që e priste kishte bërë plane të tjera. Megjithatë, Rozi kishte disa dyshime për bashkimin e tyre të cilat i kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Rozi: Ai kishte marrë numrin tim të telefonit, kishte marrë edhe numrin e djalit. Merrte djalin në telefon, më merrte mua. Përveç asaj që unë isha djegur nga martesa e parë, kishte edhe nja dy gjëra të vogla që mua më bënin konfuze.

Ardit Gjebrea: Për shembull?

Rozi: Po, ai i përkiste një besimi tjetër që në Shkodër pavarësisht se ne kemi një bashkëjetesë të mrekullueshme, te disa njerëz akoma ekziston ajo që “jo po mysliman, jo po katolike”…

Ardit Gjebrea: Pra ti katolike, ai mysliman.

Rozi: Kjo ishte e para. E dyta, ishte edhe kjo tjetra që për mua ishte shumë thelbësore.

Ardit Gjebrea: Që?

Rozi: Që ai ishte shumë më i ri se unë. Ai është 9 vjet më i vogël nga unë.

Ardit Gjebrea: Po kur thua “shumë vite” unë thashë sa ishte.

Rozi: Po shumë janë!

Ardit Gjebrea: Por nuk ju kanë penguar.

Rozi: Jo.

Sot ata kanë 13 vite bashkë që për Rozin ka qenë një kthesë totale në jetën e saj. Me shumë dashuri, ajo nis të rendisë të gjitha arsyet për të cilat ai ka marrë zemrën.

Rozi: Të them të drejtën më ka ndryshuar jetën totalisht. Është njeri i jashtëzakonshëm,  ka një familje të mrekullueshme.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha familja e tij në momentin e parë?

Rozi: Të jem e sinqertë, në fillim pleqtë hezitonin se normale, edhe unë e vë veten në pozitën e tyre.

Ardit Gjebrea: Bashkëshorti aktual nuk ka qenë i martuar më përpara?

Rozi: Jo, asnjëherë. Ai ka jetuar në Itali.

Ardit Gjebrea: Ndaj edhe familja e tij kishte pak paragjykime le të themi, fillimisht.

Rozi: Normale, për mua është krejt normale sepse të martohet një djalë që s’ka qenë asnjëherë i martuar, të marrë një grua që në finale është e divorcuar, me një fëmijë. Unë në atë kohë djalin e kisha 22 vjeç, sot është 35.

Ardit Gjebrea: Ai ishte rreth 40 në mos gaboj?

Rozi: Ai ka qenë 41 në atë kohë, unë isha 49 kur e kam njohur kështu që e justifikoja, asnjë mendim të keq s’kam patur për ta, asnjë paragjykim.

Ardit Gjebrea: Si kaloni sot?

Rozi: Sot jemi të lumtur aty ku nuk shkon më. Është njeri i jashtëzakonshëm, është njeri i mrekullueshëm që e vlerësoj më shumë jo për atë që tregon ndaj meje se më ka zgjedhur vetë, por ai ka një dashuri të pakufishme për djalin tim, për familjen time, e respekton shumë nusen time  megjithëse edhe ajo e do, e respekton por unë e vlerësoj më shumë te kjo: te dashuria që ka për djalin tim./tvklan.al