Martesa nuk ishte një oaz lumturie për Rozin. Me shumë dhimbje e trishtim, ajo ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” detaje nga jeta martesore që konsistonte në dhunë sistematike fizike e psikologjike. Ardhja e djalit në jetë nuk e ndihmoi aspak familjen dhe ajo mori vendimin për t’u larguar.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Rozi ka patur një mbështetje. Në fillim të rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tha se kur u martua vëllai, nusja e re ishte “burim dashurie, mirësie e gëzimi”. Rozi e quan “kuditë” gruan që nuk e la kurrë në baltë.

Ardit Gjebrea: Kush është kujdesur për ty gjatë kësaj kohe?

Rozi: Ajo që është heroinë, heroina ime! Ajo që është për mua nënë, motër, vajzë, shoqe, ishte nusja e vëllait, ajo që u martua para se të martohesha unë.

Ardit Gjebrea: Kunata jote.

Rozi: Kunata ime. Unë nuk i them kunatë, unë i them kuditë. Ne kështu e thërrasim njëra-tjetrën. Ajo është heroinë për mua, jo nusja e vëllait. Thashë ajo është nënë, motër që s’e pata kurrë, vajza që s’e pata kurrë, është mikja ime më e mirë.

Ardit Gjebrea: Çfarë bënte ajo  për ty?

Rozi: Megjithëse ishte shumë më e vogël se unë, ajo më ndihmonte mua për gjithçka. Kur çoja  unë djalin te shtëpia, ishte ajo që anashkalonte djalin e vet e merrej me djalin tim. Vinte atje te puna, unë kam punuar në uzinën e telave, kabllove elektrikë në Shkodër, e linte djalin aty dhe vinte vrap të më sillte mua të haja bukë dhe ky ritual përsëritej çdo ditë./tvklan.al