Topi: Dëshiroj përfshirjen e opozitës në kuvend

Dhënia fund e bojkotit dhe përfshirja e opozitës në kuvend, ishte urimi që Presidenti Topi bëri në ceremoninë e organizuar me rastin e Ditës së Pavarësisë. Nga Pallati i Brigadave kreu i shtetit kërkoi që reformat integruese të vendit të jenë agjenda kryesore e forcave politike, për të përballuar siç tha ai sfidat e mëdha që Shqipëria ka në rrugën e saj drejt BE.

Bamir Topi: “Përpos urimeve të rastit do të dëshiroja me gjithë zemër që të kishim një Kuvend ku sa qeveria aq edhe opozita, t’i përvisheshim punës për të ballafaquar  opsionet e tyre politike në të mirë dhe në interes të vendit dhe  qytetarëve të tyre. Të gjithë në duhet të tregojmë se ashtu si ndërtuam një Shqipëri anëtare të NATO-s, fituam besimin e BE, ashtu ne jemi të aftë të mençur dhe të përgjegjshëm të çojmë përpara drejt Europës së bashkuar, vendin tonë të dashur Shqipërinë”.

Kthimi i opozitës në kuvend përveçse do të dëshmonte pjekuri politike, sipas Topit do ishte çdo dyshim mbi fundin e tranzicionit në vend.

Bamir Topi: “Sot është një ditë feste por mund të jetë edhe një ditë e rëndësishme për të menduar me ndërgjegje të pastër, me përgjegjësi kombëtare dhe me pjekuri politike, për t’ju rikthyer kujtesës së shembullit të atyre burrave të fisëm, që më 28 nëntor të vitit 1912, u mblodhën, luftuan dhe fituan Pavarësinë së Shqipërisë. Unë shprehem besim plotë se të gjithë shqiptarët e vërtetë mendojnë kështu dhe dëshirojnë që Shqipëria të mbyll një herë e përgjithmonë kapitullin e tranzicionit të saj politik”.

Urimi i Presidentit të Republikës ka vijuar më pas më një shtrëngim duarsh midis tij dhe Kryeministrit Berisha, i cili nga ana e tij ka shfrytëzuar rastin për të shkëmbyer urime më të tjerë të pranishëm./tvklan.al