Erion Veliaj e pranon se viti që po mbyllet ka qenë sfidues për të. Në një mesazh urimi të regjistruar përpara nisej në SHBA, kryebashkiaku nuk ndalet tek hetimet që SPAK ka nisur ndaj tij dhe familjes së tij, por përdor metafora për të treguar vështirësitë që po kalon karriera e tij kur bën analizën e 2024 që ai duket shpresëplotë se do t’i kapërcejë.
“Ky vit ka qenë sfidues për shumë prej nesh. Por, ashtu siç dimri sjell ftohtësinë e vet, ai na kujton gjithashtu se pas çdo stuhie dhe çdo rrebeshi, ka gjithmonë një mëngjes të ri, që sjell shpresë dhe mundësi të jashtëzakonshme. Gjatë këtij viti ne si bashkëqytetarë, kemi arritur shumë, me kontributin e secilit, kemi ndihmuar njëri-tjetrin në momente të vështira dhe kemi ndërtuar një komunitet më të fortë, një Tiranë më solidare, një qytet më të bashkuar”.
Në fillim të këtij muaji, oficerët e BKH kryen kontrolle në shtëpinë e Veliajt dhe në zyrën e bashkëshortes së tij. Të enjten Veliaj u pyet nga hetuesit e SPAK-ut për më tepër se 5 orë, ndërsa një ditë më pas në një reagim Prokurorisë së Posaçme u njoftua se mbi bazën e një kallëzimit të bërë nga një i vetëidentifituar si Nesti Angoni kanë regjistruar një procedim penal dhe po hetohet për 3 vepra penale që lidhen me korrupsionin aktiv, pastrim të produkteve të veprës penale, si dhe refuzim për deklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë.
Të shtunën Veliaj, si e pranoi vetë, u nis drejt Shteteve të Bashkuara për arsye pune, por sipas kreu të PD ai po i arratisej drejtësisë i ndihmuar nga kryeministri. Ky i fundit në një intervistë për Zërin e Amerikës nuk pranoi të komentojë rastin konkret të hetimit të kryebashkiakut të Tiranës, por tha në përgjithësi se cilido është i hetueshëm, por kjo nuk e bën cilindo të fajshëm.
Tv Klan