Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në qarkun e Fierit, Mesila Doda, ka vizituar spitalin rajonal të qytetit ku është njohur me gjendjen aktuale të shërbimit shëndetësor në këtë qark. Pasi ka parë nga afër ambientet e repartit të pediatrisë, zonja Doda e cila shoqërohej nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësore, Elvana Hana, u ndal në mënyrë të veçantë në spitalin e lindjeve. Më tej kandidatja demokrate u takua dhe me mjekë e infermierë të këtij spitali ku tha se mbetet ende për të bërë në sistemin shëndetësor, në mënyrë që ai të jetë shumë pranë standardeve europiane.

Mesila Doda: “Pagat e personelit mjekësor janë të dyfishuara pothuajse, si ato të infermierëve, por dhe ato të mjekëve. Sigurisht është kërkuar gjithashtu që të bëjmë një shërbim të diferencuar për zonat që kërkojnë që të kenë shërbim shëndetësor dhe që janë zona më të thella. Dhe nga ana tjetër kemi një rritje shumë të madhe të buxhetit për shëndetësinë, ende ka shumë nevoja shërbimi spitalor i qytetit. Sigurisht është një nga sektorët të cilët kanë filluar tashmë të ndjejnë shenjat e para të reformës. Por që besoj se do jetë një nga prioritet e qeverisjes së ardhshme”.

Ndërsa drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, u ndal në mënyre të veçantë tek angazhimi i qeverisë për ta reformuar më tej këtë sektor katër vitet e ardhshme .

Elvana Hana: “Reformat që kanë filluar në 2007-n, kanë qenë në favor të pacientit  po aq sa kanë qenë në favorin tuaj. Megjithatë ne si organizator të sistemit, kemi filluar të ndjejmë që tenderimet nëpër spitale kur jeni ju përgjegjës dhe jo një ministri shëndetësie, ashtu sikurse kërkohet të rikthehet bëhen më mirë, bëhen më saktë, bëhen më me pak korrupsion, ka më pak kriskë dhe realisht realizohen muajt e parë të vitit”.

Sektori i shëndetësisë, mbetet një ndër më prioritarët në programin elektoral të maxhorancës së djathtë, e cila mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, rritjen e buxhetit për shëndetësinë, subvencionimin e sigurimeve për personat që nuk kanë mundësi ti paguajnë si dhe rritja e vazhdueshme të pagave për bluzat e bardha./tvklan.al