Inter Miami gjithnjë e më shumë në varësi të Lionel Messi. Argjentinasi ka hedhur pas krahëve dëmtimin që e la pothuajse për një muaj jashtë fushave, për t’u rikthyer në mënyrën siç di ta bëjë vetëm ai. Kampioni i botës u aktivizua vetëm në pjesën e dytë në barazimin 2-2 ndaj Kolorados, gjithsesi arriti të gjejë fundin e rrjetës për herë të katërt në këtë sezon. Një ekzekutim perfekt i topit të hedhur në zonë nga e majta e sulmit të skuadrës nga Majemi.
Katër gola në po kaq takime të zhvilluara prej tij në kampionat, për ta pozicionuar Inter Miami në vendin e tretë të renditjes në Konferencën e Lindjes. Që prej periudhës kur firmosi me skuadrën amerikane, Messi ka qënë protagonist me 17 gola dhe dhënë 7 asiste për shokët e skuadrës.
Goli është një plus për Messin, por gjëja më e rëndësishme për Inter Miami është fakti që do ketë të gatshëm argjentinasin për sfidën e kthimit kundër Monterrey në Kupën e Kampionëve për zonën e Amerikës. Përballë meksikanëve, skuadra amerikane duhet të përmbys disavantazhin 2-1 të takimit të parë dhe me një Messi në fushë gjithçka konsiderohet si e mundshme.
Klan News