Protestës së qindra banorëve të lagjes Sauk për mungesën e ujit të pijshëm i është bashkuar edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i shoqëruar dhe nga kryetari i këshillit bashkiak të kryeqytetit Sokol Dervishi.

I përfshirë nga fushata për zhvillimin e  referendumit për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese, Meta i ka kërkuar 2 kryetarëve të partive të mëdha, Berishës dhe Ramës që bashkëpunimin mos ta kufizojnë vetëm për interesat partiake, por dhe interesat publike dhe jetike për furnizimin normal të popullatës me ujë dhe drita.

Ilir Meta: “Për fat të keq Berisha me Ramën merren vesh për të prishur kushtetutën, po nuk merren vesh për të menaxhuar ujësjellësin edhe problemet e ujësjellësit, ndaj ne do të kërkojmë zgjidhje edhe do i themi Sali Berishës që mirë ka bërë që ka bërë një km rrugë këtu, mirë ka bërë që edhe e ka zgjeruar rrugën, por do të kishte bërë mirë që të mos kishte sjellë njerëz me autobus kur inauguroi rrugën, po të kishte ftuar popullin këtu.”

Meta ju ka premtuar banorëve të Saukut se shqetësimin e tyre për mungesën e ujit të pijshëm grupi i tij parlamentar do ta shtrojë për diskutim dhe në seancën plenare të ditës së hënë./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka