Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta rikonfirmoi mbështetjen e Italisë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit te vizave dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke thënë kjo garanci vjen nga homologu i tij italian,Franco Frattini me te cilin pati një takim ne Rome.

Ilir Meta: “Ministri i Jashtëm i Italisë zoti Frattini vlerësoi shuam përpjekjet e mëdha dhe progresin e madh që Shqipëria ka bërë për të plotësuar kushtet apo kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ne jemi të bindur se brenda vitit të ardhshëm do të merret vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.”

Në një konference për shtyp ku bëri një rezyme të vizitës së tij në Itali, Meta iu përgjigj interesit të mediave mbi prezantimin e raportit të OSBE-së para këshillit të përhershëm të këtij organizmi, për zgjedhjet e 28 Qershorit.

Ilir Meta: “Zgjedhjet e 28 Qershorit kanë qenë më të mirat që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri dhe e kanë plotësuar shumicën e standardeve ndërkombëtare. Natyrisht që ka vend për progres dhe ju e dini shumë mirë se qëndrimi ka qenë dhe është shumë i hapur edhe në drejtim të kërkesave të opozitës.”

Vizita e Metës në Itali, është e para pas emërimit te tij në postin e zv/kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm./tvklan.al

Gazetari: Eno Luarasi