Procesi i liberalizimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian do të mbyllet brenda vitit tjetër, kohë kur përfundon edhe mandati i kreut aktual të KE Hose Manuel Barroso. Kështu deklaroi ministri i jashtëm Lulzim Basha në përfundim të takimit me homologun qipriot Markos Kyprianou, duke nënvizuar se pas marrjes së udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të përmbushen me kujdes të gjitha procedurat dhe detyrimet e përcaktuara në këtë dokument.

Lulzim Basha: “Ne jemi plotësisht optimist se koha që na ndan nga përfundimi me sukses i këtij procesi, pra nga heqja e vizave për qytetarët shqiptarë për të udhëtuar drejt BE, do të shkurtohet. Nuk jemi në gjendje në këtë moment të përcaktojmë një datë ekzakte, por po kështu dëshiroj të theksoj,  se spekulimet mbi këtë se do të marrë 3 vjet janë tërësisht të pabazuara. Optimizmi i shprehur nga zëvendës presidenti i komisionit zoti Fatini për të përmbyllur këtë proces me sukses brenda mandatit të kryetarit të komisionit Barroso është plotësisht i justifikuar ashtu siç mbështet nga BE ashtu mbështetet nga Shqipëria.”

Ndërkaq ministri i jashtëm i Qipros Kyprianou tha, se procesi i liberalizimit të vizave është shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimit drejt BE-së.

Markos Kyprianou: “Për ne lëvizja e lirë është shumë e rëndësishme sepse duhet të inkurajohen kontaktet njerëzore. Veçanërisht kjo është e rëndësishme për nxitjen e brezit të ri drejt BE-së. Shqipëria është pjesë e Europës dhe ne do të mbështesim fuqimisht përpjekjet e saj për anëtarësim në BE.”

Gjatë vizitës së tij zyrtare  në Tiranë kryediplomati qipriot u prit në takime të veçanta nga presidenti Topi, kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama