Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha prezanton zyrtarisht drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i cili zëvendëson në këtë detyrë Ahmet Premçin.

Hysni Burgaj: “Në nderin tim personal betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem!”

Në fjalën e rastit ministri Basha vlerësoi kontributin e ish-drejtorit Premçi, që do të jetë dhe këshilltari i tij, si dhe deklaroi se policia do të vazhdojë të veprojë e paanshme ndaj krimit.

Lulzim Basha: “Pas komunikimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për emërimin në detyrën e drejtorit të Policisë së  Përgjithshme të Shtetit zotit Hysni Burgaj, dëshiroj të uroj detyrën drejtorit të ri dhe të falënderoj drejtorin në ikje zotin Premçi për kontributin e tij të çmuar me drejtimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të vendit. Gjatë drejtimit të tij Policia e Shtetit iu nënshtrua  reformave të thella dhe të rëndësishme. Në mënyrë të veçantë pas korrikut 2007 kur hyri në fuqi ligji i ri për Policinë e Shtetit, policia shqiptare dhe drejtuesit e saj ndërmorën hapa kurajoz për të rritur performancën dhe prezantimin e policisë në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Gjatë kësaj kohe policia e shtetit arriti rezultate shumë të mira në luftën kundër krimit në vend. Ndërtoi dhe forcoi marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe organizatat simotra në vendet e rajonit dhe të BE-së. U bë një nga faktorët vendimtar për pranimin e Shqipërisë në NATO si dhe pararojë e realizimit të detyrimeve për liberalizimin e vizave që të gjithë shpresojmë të realizojmë së shpejti. Policia e Shtetit mori dhe meritoi përgëzime unanime për performancën e saj gjatë sezonit të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Me këtë rast shpreh mirënjohjen për zotin Premçi dhe stafin e tij për punën e deritanishme dhe kontributin e tij.”

Burgaj ka drejtuar në karrierën e tij drejtorinë e policisë së Gjirokastrës dhe Kukësit. Prej 29 korrikut të vitit 2008 ka kryer detyrën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për shërbimet mbështetëse./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani