Presidenca Hungareze e Bashkimit Europian duket se ka si synim që të përshpejtojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht të Shqipërisë, që sot mbajti Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE-në për hapjen e grup-kapitullit të quajtur “Themelore”.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, që sot drejtoi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare, tha se nëse puna ecën siç duhet, në fund të vitit Shqipëria mund të hapë një tjetër grup-kapitull.
“Çështjen e përshpejtimit me Ballkanin Perëndimor e kemi vënë në krye të saj dhe kemi disa plane mjaft konkrete. Njëri prej tyre u realizua sot. Ishte një plan dhe objektiv shumë i qartë i yni për të nisur negociatat e mirëfillta me Shqipërinë. Në qoftë se gjithësecili bën punën e vetë në mënyrë të drejtë, në mënyrën e duhur, atëherë përpara fundit të vitit një tjetër grup-kapitujsh mund të hapet me Shqipërinë, që është 6-ta dhe që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë, që është e qartë që praktikisht, pragmatikisht po ta shikosh këtë çështje, Shqipëria është gati. Ndaj shpresoj që të gjitha detyrat burokratike të shtëpisë do të bëhen këtu në Bruksel dhe pastaj do të mund të ulemi për një tjetër Konferencë Ndërqeveritare përpara mbylljes së mandatit të kësaj presidence”, theksoi ministri i Jashtëm i Hungarisë.
/tvklan.al