Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Siguria në rajon në kuadër të Lojërave Olimpike Athinë 2004, ka sjellë në Tiranë në një vizitë zyrtare, ministrin e rendit publik të Greqisë Jorgo Vulgarakis.

Ministrat e rendit të dy vendeve kanë deklaruar, pas takimit dy palësh, se grupe pune të përbashkëta do të analizojnë me vëmendje, elementë që kanë të bëjnë me sigurinë e rajonit, gjatë zhvillimit të evenimentit ndërkombëtar. Trafiku i të miturve shqiptarë me qëllim shfrytëzimin në Greqi, ka qenë temë e bisedimeve Toska-Vulgarakis.

Igli Toska: “Një çështje tjetër e rëndësishme që u trajtua ishte dhe identifikimi dhe riatdhesimi i të gjithë të miturve shqiptarë që shfrytëzohen për lypësi, punë të zezë, apo veprimtari të tjera të paligjshme në qytete të ndryshme të Greqisë. Në këtë aspekt ramë dakord për përcaktimin e instrumenteve të nevojshëm juridik dhe të modaliteteve teknike, për realizimin e këtij procesi”.

Në vizitën e tij të parë, pas marrjes së detyrës të ministrit të rendit publik të Greqisë, Vulgarakis ka shprehur, se ekziston vullneti i mirë mes vendeve, për të bashkëpunuar për çështje që kanë të bëjnë me goditjen e eksponentëve kriminal dhe trafikimi njerëzor. Gjithashtu është shprehur dhe mbështetja e qeverisë greke për Shqipërinë.

Jorgo Vulgarakis: “Kryeministri Karamanlis dhe kabineti i tij e konsiderojnë Shqipërinë si partnere strategjike. Besojmë në bashkëpunimin dy palësh dhe për gjetjen e mbështetjes reciproke për të zgjidhur problemet që janë për t’u përballuar”.

Sipas burimeve nga kabineti i ministrit në agjendën e takimit zyrtar nuk është përfshirë çështja e lëvizjes së emigrantëve shqiptarë dhe pajisjes me dokumentacion. Ministri i rendit publik të Greqisë është pritur në takim dhe nga kryeministri shqiptar Fatos Nano./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj