Të gjitha shtresat në nevojë do të marrin 640 lekë në muaj si kompensim për rritjen e çmimit të energjisë nga Janari i këtij viti.

Vendimi i cili pritet të kalojë në mbledhjen e qeverisë, u bë i ditur nga Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera gjatë Këshillit Kombëtar të Punës.

Spiro Ksera: “Është gati projektvendimi. Këtë javë do kalojë në Këshill të Ministrave dhe do kemi një rritje, një kompensim 640 lekë në muaj për kategoritë që ju tashmë jeni njoftuar. Janë kategoritë e atyre që kanë paga të ulëta të gjithë skemës ekonomike të njerëzve, të qytetarëve me aftësi të kufizuar dhe të invalidëve të punës”.

Kompensimi i energjisë për këto kategori ishte pjesë e diskutimit të Këshillit, pasi Shqipëria prej 2005 ka nënshkruar Traktatin mbi Ngritjen e Komunitetit të Energjisë, që parashikon bashkëpunimin rajonal në fushën e energjetikës dhe mbrojtjen sociale të shtresave në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë.

Spiro Ksera: “Traktati të detyron që të kemi një treg të unifikuar tashmë në mes të këtyre shtatë shteteve dhe ky treg do ndihmojë njerëzit, qytetarët që janë në nevojë. Me një fjalë do të kemi një dialog të gjerë social.”

Këshilli Kombëtar i Punësimit përbëhet nga 27 anëtarë, që janë shtatë ministra, dhjetë përfaqësues të punëdhënësve dhe dhjetë përfaqësues të punëmarrësve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami