Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer dhjetëra sulme në të gjithë Sirinë, përfshirë kryeqytetin Damask, sipas mediave siriane. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR) me bazë në Mbretërinë e Bashkuar tha se ka pasur më shumë se 100 sulme ndaj objektivave ushtarakë.
Në mesin e vendeve të goditura ishte edhe një qendër kërkimore me lidhje të dyshuara me prodhimin e armëve kimike. Ndërkohë, Izraeli thotë se po vepron për të ndaluar rënien e armëve “në duart e ekstremistëve” pas përmbyshes së regjimit të Asadit.
Ditën e djeshme, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh për të diskutuar situatën në vend pas rënies së Presidentit Bashar al-Assad dhe tha se ata do të dalin me një deklaratë zyrtare ditët në vijim.
“Këshilli, mendoj, ishte pak a shumë i bashkuar për nevojën për të ruajtur integritetin territorial dhe unitetin e Sirisë, për të siguruar mbrojtjen e civilëve, për të siguruar që ndihma humanitare të vijë për popullatën në nevojë,” tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.
Këto sulme vijnë pasi mbikëqyrësi kimik i OKB-së ka paralajmëruar autoritetet në Siri që të sigurohen që rezervat e dyshuara të armëve kimike janë të sigurta.
Sipas Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), një armë kimike është një kimikat që përdoret për të shkaktuar vdekje, ose dëmtim të qëllimshëm nëpërmjet vetive të tij toksike.
Përdorimi i armëve kimike është i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Nuk dihet se ku dhe sa armë kimike ka Siria, por besohet se ish-Presidenti Bashar al-Assad mbante rezerva./tvklan.al