Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti Alfred Moisiu ka konkretizuar nismën për bashkëpunimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, për anëtarësimin në NATO. Kreu i shtetit shqiptar ka ftuar presidentët e këtyre vendeve, kroatin Stipe Mesiç dhe maqedonasin Boris Trajkovski, për një takim në Tiranë, që pritet të mbahet në Shkurt.

Nëpërmjet këshilltarit të tij për mediat, presidenti Moisiu ka shprehur besimin, se kjo nismë do të ndihmojë tre vendet, për anëtarësimin e ardhshëm në NATO.

Arjan Konomi:- “Ky takim i kryetarëve të shteteve, do të jetë një mundësi për të diskutuar edhe mbi probleme të tjera, që kanë të bëjnë me sigurinë rajonale, luftën kundër terrorizmit, forcimin e demokracisë, si dhe reformimin e forcave të armatosura”.

Takimi i presidentëve në Tiranë dhe kryeqytetet Shkup dhe Zagreb, pritet të pasohet më tej nga bisedimet mes kryeministrave, ministrave të jashtëm dhe atyre të mbrojtjes të tre vendeve./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço