Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, ka zgjedhur qytetin e tij të lindjes Kavajën, për t’ju drejtuar forcave politike të mos diskriminojnë asnjë qytet për shkak të bindjeve të tyre politike.

Presidenti Alfred Moisiu:- “Është e nevojshme të kuptohet nga të gjithë, se vështrimi i qyteteve, si bastione të forcave politike të caktuara, duhet të marrë fund. Shqipëria është një dhe i takon të gjithë shqiptarëve, askush nuk ka të drejtë të manipulojë për qëllime politike, me ndjenjat fisnike të njerëzve dhe kështu, të ndajë apo të diskriminojë krahina e qytete të caktuara. Zhvillimi i barabartë i gjithë qyteteve, lipset të reflektohet në hartimin e gjithë politikave ekonomike, social e kulturore. Lufta politike, si pjesë e domosdoshme e zhvillimit të demokracisë, nuk duhet të bëhet pengesë për ecurinë e reformave. Ajo duhet t’i shërbejë zhvillimit. Njerëzit të gjithë kanë nevojë të punojnë dhe të jetojnë normalisht, si qytetarë të një vendi europian”.

Zoti Moisiu e dha këtë mesazh gjatë një vizite në Kavajë, ku ka pasur takime me drejtues të pushtetit lokal, i shoqëruar edhe nga disa ministra të kabinetit Nano, kreu i shtetit është angazhuar të ndihmojë për zgjidhjen e disa problemeve të mprehta sociale të qytetarëve të Kavajës.

Vizita e Presidentit Moisiu në Kavajë është kurorëzuar dhe me dhënien e titullit “Qytetar Nderi të Kavajës”, babait të tij Spiro Moisiu./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço