Rezultatet e referendumit në Moldavi për ndryshimin e kushtetutës dhe përkushtimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është shumë i ngushtë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me mbi 98 për qind të votave të numëruara deri në mëngjesin e së hënës, Po kanë votuar 50.08 për qind, ndërsa Jo 49.92 për qind e votuesve.

Në zgjedhjet presidenciale, të cilat u zhvilluan njëkohësisht, presidentja Maia Sandu fitoi 42 për qind të votave, ndërsa ish-prokurori i përgjithshëm Alexandr Stoianoglo 26 për qind, duke i hapur rrugën një balotazhi të ashpër që pritet të mbahet me 3 Nëntor.

Policia arrestoi qindra njerëz në javët e fundit pasi zbuloi një skemë të paprecedentë të blerjes së votave që sipas tyre mund të ndikojë në rezultat. Votimet u panë edhe si një sprovë e aspiratave të kombit për t’u përkushtuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Moldavia e udhëhequr nga Sandu, nisi procesin e gjatë të bisedimeve zyrtare të anëtarësimit në Qershor, me synimin që të bashkohet me bllokun deri në vitin 2030.

Klan News