Florian Lala, punonjës i Gardës së Republikës është shkarkuar menjëherë nga detyra, pasi mori pjesë në fushatë elektorale. 

Ka qenë Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, i cili në vijim të masave të marra për ngjarjen e mëngjesit të ditës së sotme në Dibër, i ka kërkuar Komandantit të Gardës së Republikës shkarkimin e menjëhershëm nga detyra Lalës.

Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme sqarohet

“efektivi i Gardës së Republikës në shkelje të statusit të tij dhe nenit 332/a të Kodit Penal, “Shpërdorimi i autoritetit policor” ka marrë pjesë aktive në fushatën elektorale të një subjekti politik, më konkretisht Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet në qarkun e Dibrës. Efektivi Florian Fatbardh Lala është liruar menjëherë nga detyra”.

Në njoftimin e saj, thuhet se Ministri Demiraj ka ndjekur nga afër operacionin e Policisë së Shtetit dhe SHÇBA-së për arrestimin e në flagrancë të Demir Dedës, punonjës policie në Durrës, i cili ishte i përfshirë në fushatën elektorale të PDIU, në Dibër duke shkaktuar incidente me subjekte të tjera politike.

Ministri Demiraj inkurajon strukturat e Policisë së Shtetit për të mos lejuar asnjë shkelje të ligjit pa marrë përgjigjen e merituar, ndërsa i tërheq vëmendjen Drejtorit vendor të Policisë në qarkun Dibër, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme duke cënuar besueshmërinë e punës së Policisë së Shtetit.

“Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj u bën thirrje të gjithë subjekteve politike të shmangin incidentet, të respektojnë ligjin duke mos angazhuar në fushatë persona të cilëve iu ndalohet një aktivitet i tillë dhe të mbajnë larg aktivitetit elektoral persona me rekorde kriminale, pasi do të ketë tolerancë zero”,

thuhet në njoftim./tvklan.al