Më në fund mbërriti momenti që Marsela Çibukaj të mësonte kush e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këngëtarja u habit kur pa se pas ekranit në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, nuk ndodhej vetëm partneri, Vitmari siç ajo mendonte, por edhe djemtë e grupit muzikor: Arbri, Blerati dhe Piko.

Në fillim të programit, ata ‘u ankuan’ për kërkesat e Marselës dhe këtë herë i dërguan asaj një listë me kërkesat e tyre. Gjëja më kryesore që ata duan t’i shprehin si ‘bashkëvuajtës’ është të jetë më e qetë pasi e bën punën e saj në mënyrë të përsosur dhe nuk është nevoja të lodhet aq shumë pasi të gjithë janë në çdo kohë pranë saj.

Vitmar Basha: O Marso, kemi ardhur të gjithë sepse jemi të gjithë bashkëvuajtës në këtë situatë.

Marsela Çibukaj: Kanë të drejtë, s’jam kundër.

Vitmar Basha: Por duhet të dish që ne të duam shumë fort, secili në mënyrën e tij dhe e vetmja gjë që të kërkojmë është që ta duash pak më shumë veten duke mos e ndëshkuar veten kaq shumë dhe rrjedhimisht ne.

Ardit Gjebrea: Ke hallin tënd apo të Marselës?

Marsela Çibukaj: Të vetin. E di unë se ku do të arrijë.

Vitmar Basha: Tani u emocionova dhe unë se ka qenë e gjitha një javë që unë mundohesha të fshihesha. Gjithsesi unë të uroj që me ndihmën e Zotit, energjisë, natyrës dhe shoqërisë dhe talentit që ke, të kesh mundësi që të ecësh më shumë sesa gjysma e asaj që ti punon. Ti punon 100%, gjithmonë ke marrë 50%, shpresoj që të bëhet e anasjellta, shpresoj që të punosh 50% dhe të fitosh 100% sepse unë e di që ti lodhesh psikologjikisht dhe nga pikëpamja e analizave mendore që bën gati 200% dhe mendoj që e ndaj këtë gjë edhe me çunat.

Ardit Gjebrea: Dhe Arbri në emër të band-it?

Arbër: Në emër të band-it, e para,  s’kemi asnjë fjalë për të thënë njëherë. Ishte pak a shumë e njëjta gjë që thotë edhe Vitmari, ne duam që ti të jesh e qetë në çdo moment, ne na ke në mbështetje gjithë kohës, mos u preokupo shumë për punët e të tjerëve, punën tënde e bën më së miri, ti ia ke dalë në çdo moment dhe vazhdo kështu!/tvklan.al